Transmetuar më 28-05-2025, 08:46

Orët e para të Carlo Ancelottit si trajner i Brazilit kanë qenë të ngarkuara. Pas prezantimit zyrtar, tekniku italian publikoi listën e parë të të grumbulluarve dhe më pas mori pjesë në konferencën për shtyp e në intervistat e para.

Në një intervistë për “Globo Esporte”, Ancelotti foli për raportin e tij me lojtarët brazilianë, që ka pasur gjatë karrierës,teksa deklaratat ishin mjaft interesante. "Më i forti që kam stërvitur? Pa dyshim Ronaldo, – tha ai. – Teknikisht ishte spektakolar dhe një nga futbollistët më argëtues në botë".

Pastaj foli për lojtarët më të disiplinuar: "Më profesionali ka qenë Cafú. Po më gazmorët? Janë  shumë. Militao më bën të qesh shumë, edhe Vinicius, që për mua është shumë i përulur. Një djalosh shumë, shumë i përulur. Kjo është arsyeja pse flas gjithmonë mirë për ta. Kam pasur një raport shumë të mirë me të gjithë dhe më kanë telefonuar të më urojnë fat të mbarë".

Trajneri shtoi edhe një vlerësim të përgjithshëm për brazilianët që ka drejtuar: "Lojtari brazilian ka një nivel teknik më të lartë krahasuar me të tjerët. Zakonisht janë njerëz që e menaxhojnë mirë veten dhe kanë një karakter të qetë e të përulur".

Në fund, Ancelotti bëri edhe një rrëfim me humor: "Kam stërvitur 34 brazilianë dhe nuk më duket se kam pasur ndonjëherë probleme me ndonjërin. Ndoshta vetëm me një…, por nuk do të them se cili është".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit