Transmetuar më 28-05-2025, 09:45

Kristjan Asllani, mesfushori i Interit, ka folur për mikrofonët e “Sky Sport”, duke komentuar finalen e ardhshme të Champions League, por edhe kthyer sytë nga e kaluara: “Nuk dua të jem gënjeshtar, ende kemi shumë keqardhje për titullin e humbur, sepse ishte një nga objektivat tanë që në fillim të sezonit. E dimë si është futbolli, tani kemi këtë ndeshje të madhe për ta përgatitur.

Do të punojmë shumë në stërvitje dhe ta studiojmë kundërshtarin. Sigurisht, jemi të lumtur që kemi arritur deri këtu. Ky është një kompeticion shumë konkurrues, ndaj është e vështirë të arrish deri në fund. E kemi humbur para dy vitesh finale e Stambollit, tani duhet të futemi në fushë me vendosmëri dhe egërsi për ta fituar”.

Sa forcë duhet për të gjetur kurajon në një ndeshje pa kthim?

Nëse kemi luajtur kaq shumë ndeshje, do të thotë që kemi bërë një punë të shkëlqyer. Kemi shkuar deri në fund në gjithçka, përveç Kupës së Italisë. Nuk duhet të mendojmë për lodhjen, askush nuk e bën këtë. Në një ndeshje si kjo duhet të jesh i çliruar psikologjikisht, sepse nuk ndodh çdo ditë. Kemi një detyrë: ta fitojmë këtë Champions, sepse e meritojmë të gjithë; nga magazinierët deri te lojtarët.

A ndiheni të barabartë apo më të fortë se PSG?

Sigurisht që ndjehemi një skuadër e fortë. Të eliminonim Bayern Munich dhe Barcelonën ishte diçka shumë e vështirë, madje dukej e pamundur. Kemi bërë një rrugëtim të madh, kemi pësuar pak gola dhe jemi të kënaqur. Tani duhet ta shijojmë këtë dhe të përgatitemi mirë për këto 4-5 ditë që kemi.

Çfarë force mendore të jep fakti që mund të shfrytëzosh çdo minutë që aktivizohesh tek Interi?

Kur luan në një skuadër të tillë, me kaq shumë ndeshje, duhet të jesh gjithmonë gati. Ka ndeshje ku nuk shkëlqen, por jam shumë i lumtur që kam këta lojtarë pranë vetes. Ky është një grup djemsh të jashtëzakonshëm dhe nuk e them sepse ka kamera. Duhet të luaj për shokët e mi, çfarëdo hapësire që të kem, për gjithçka që kanë bërë për mua këto vite.

Ke ndonjë premtim në rast fitoreje?

Nuk mendoj për këto gjëra. Mendojmë vetëm të fitojmë atë që duam.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit