

Është çelur zyrtarisht faza e tretë e projektit SCOPE, një iniciativë e përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale Gjermane që synon thellimin e bashkëpunimit strategjik dhe modernizimin e kapaciteteve policore në Shqipëri dhe rajon.
Gjatë takimit mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Shefit të Departamentit të Luftës kundër Kriminalitetit në Policinë Federale Gjermane, Mathias Schaef, u theksua se ky partneritet është kthyer në një pikë referimi për reformën në siguri.
Në fjalën e tij, drejtori Proda vlerësoi rezultatet e arritura në fazat SCOPE I dhe II, duke e cilësuar nisjen e fazës së tretë si “konfirmim i një besimi të ndërsjellë dhe një partneriteti strategjik që i kalon kufijtë teknikë”.
Projekti SCOPE III përfshin fusha të avancuara si dixhitalizimi i trajnimeve, zbatimi i inteligjencës artificiale, ngritja e strukturave shkencore rajonale, bashkëpunimi hetimor, forcimi i sigurisë kibernetike dhe përfshirja aktive në platformën EMPACT.
Mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Policia Federale Gjermane, ky projekt i jep një dimension të ri rolit të Policisë së Shtetit në garantimin e sigurisë dhe në ndërtimin e standardeve evropiane të zbatimit të ligjit. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






