

DURRËS- Deputetja Andia Ulliri, që kandidoi në listat e Partisë Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore në qarkun e Durrësit, i ka dërguar një kërkesë KQZ-së ku pretendon se mandati që mori Arjan Nodja i takon asaj, për shkak të kuotës gjinore. Ndër të tjera Ulliri shkruan se ky veprim nuk është i ligjshëm dhe bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me Kodin Zgjedhor, si dhe me qëndrimin e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, i cili është paraqitur edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Kërkesa e plotë:
“Nga kqyrja që i kam bërë faqes zyrtare të KQZ-së, rezulton se nga ana juaj është shpallur si i zgjedhur (mandatuar) kandidati Arian Ndoja, i cili ishte i renditur i pari për nga votat parapëlqyese. Unë besoj se ky veprim nga ana juaj nuk përbën një vendim të ligjshëm, por vetëm një projeksion, i cili bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, me Kodin Zgjedhor, si dhe me qëndrimin e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, i cili është paraqitur edhe në Gjykatën Kushtetuese. Në mënyrë të pashpjegueshme nga ana juaj është anashkaluar hapur përcaktimi ligjor i referuar në Kushtetutë dhe i sanksionuar në Kodin Zgjedhor, ku përcaktohet qartë që 1 në çdo 3 deputetë duhet të jetë i gjinisë më pak të përfaqësuar”, shkruan Ulliri.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






