Transmetuar më 27-05-2025, 09:40

Istog, 27 maj 2025 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Vrellë të Istogut në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një 19-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë nga arma e zjarrit.

I riu, i identifikuar si A. M., është dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Pejës me plagë në gjoks. Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, megjithatë për shkak të pranisë së plumbit në trup, ai është transferuar për trajtim të specializuar në QKUK.

Ngjarja është raportuar nga Spitali i Pejës në Polici, ndërsa njësitet hetimore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë sekuestruar prova materiale që lidhen me incidentin. Dy dëshmitarë që ndodheshin në shtëpinë e të riut kanë dëshmuar se pas një krisme armë, e kanë gjetur atë të plagosur në dhomën e tij dhe e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit.

Policia ka iniciuar rastin si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa pas intervistimit të viktimës në QKUK, prokurorja kujdestare për krime të rënda pritet të vendosë për veprimet e mëtejshme ligjore.

Burime nga sistemi i drejtësisë bëjnë me dije se po hetohet edhe pista e tentativës për vetëvrasje, pasi ende nuk janë sqaruar rrethanat dhe motivet që çuan në plagosjen e të riut. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit