

Sipas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Parisit, sekuestrimi i 55 milionë eurove në llogaritë e PSG-së, i kërkuar muajin e kaluar nga Kylian Mbappé në kuadër të një mosmarrëveshjeje financiare me ish-klubin e tij, është anuluar.
Prej muajsh në konflikt të hapur me shoqërinë e Al-Khelaifit, ylli francez, që tani luan për Real Madridin, e kishte çuar çështjen para komisionit disiplinor të Ligës Profesioniste të Futbollit (LFP), duke kërkuar pagesën e 55 milionë eurove në formë bonusesh dhe pagash të papaguara.
Mbappé akuzonte PSG-në për mospërmbushje të pagesave, teksa Komisioni i Apelit i LFP kishte vendosur në favor të yllit francez më 25 tetor, në procesin përkatës. Klubi parizien kishte refuzuar menjëherë ta respektonte vendimin dhe kishte vazhduar përplasjen në gjykatat kompetente.
KM9 kishte vendosur të përfaqësohej nga një ekip prej tre avokatësh të specializuar në çështje penale, të së drejtës së punës dhe kontesteve gjyqësore, për të marrë pagesën e shumës së pretenduar. Por, sipas të përditshmes spanjolle “MARCA”, Gjykata e Shkallës së Parë të Parisit ka vendosur ta revokojë atë sekuestrim.
Konflikti nisi në momentin kur Mbappé vendosi të largohej nga PSG-ja dhe klubi filloi “ta harrojë" shlyerjen e disa nga pagesat e tij milionëshe, duke arritur detyrimin 55 milionë euro.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






