Transmetuar më 26-05-2025, 23:23

Një vendim i rrallë për Shqipërinë është marrë nga Gjykata e Apelit në Tiranë, e cila ka urdhëruar shtetin shqiptar të paguajë një dëmshpërblim prej 500 mijë eurosh për një aksident rrugor të ndodhur rreth tetë vite më parë. Bëhet fjalë për një përplasje mes automjetesh, në një rrugë ku nuk pati viktima dhe të plagosur, por ku paditësit argumentuan rrezik serioz për jetën si pasojë e infrastrukturës.

Sipas dokumenteve të çështjes, padia është ngritur ndaj shtetit shqiptar për dëm moral dhe material, dhe vendimi është marrë me ritme të shpejta nga Gjykata e Apelit, ndryshe nga shumë raste të tjera që zvarriten për vite me radhë në sistemin gjyqësor. Vendimi ka detyruar qeverinë të shlyejë shumën prej gjysmë milioni euro në favor të paditësve.

Reagimi i Edi Ramës: “Shteti u godit me 500 mijë euro brenda një dite, ndërsa shqiptarët presin drejtësinë me vite”

Kryeministri Edi Rama e ka bërë publik vetë këtë vendim gjatë një deklarate, duke e cilësuar si një shembull të padrejtësive që ende ndodhin në sallat e gjyqeve shqiptare. Ai u shpreh se është i vetëdijshëm për mungesën e drejtësisë për shumë qytetarë dhe kritikoi ashpër shpejtësinë me të cilën u mor ky vendim në krahasim me raste të tjera që zvarriten për vite.

Rama pranoi publikisht se shteti nuk është në gjendje të ofrojë drejtësi për shumë qytetarë, të cilët ende presin pafundësisht për të marrë një vendim në gjykata. Ai theksoi se ky është një tjetër shembull i dështimit të institucioneve të drejtësisë për të korrigjuar gabimet që ndodhin në gjykata dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.

"Ne nuk japim dot drejtësi për shumë shqiptarë që akoma enden pafundësisht në pritje të drejtësisë. Ne nuk korrigjojmë dot gafat dhe poshtërsitë që akoma ndodhin në dem të të drejtës së njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve dhe në dem të shtetit po ashtu," – u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se shteti është goditur me 500 mijë euro për një ngjarje që ndodhi para 8 vjetësh dhe për të cilën nuk ka pasur viktima, duke e cilësuar këtë një vendim të shpejtë dhe të papritur, krahasuar me vonesat që shumë qytetarë kanë për të marrë përgjigje në raste të tjera.

Pjesa e plotë për çështjen:

"Ne nuk japim dot drejtësi për shumë shqiptarë që akoma enden pafundësisht në pritje të drejtësisë. Ne nuk korrigjojmë dot gafat dhe poshtërsitë që akoma ndodhin në dem së të drejtës së njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve dhe në dem të shtetit po ashtu.

Një parantezë këtu, sot kemi humbur një gjyq në apel ku i kërkohet shtetit të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë përpara nja 8 vjetësh në një rrugë ku s’ka pasur lavdi Zotit as të vdekur dhe as të plagosur dhe ku shoferi me bashkë-shoferen apo shoferin, kanë pasur vizonin që të hedhin shtetin në gjyq si rezultat i përplasjes me makinë dhe i rrezikut për jetën dhe ndërkohë që janë të panumërt shqiptarët që presin apelin me vite të tëra, ndërkohë që janë flagrante rastet që ne presim apelin e apelit madje, në Gjykatën Administrative me muaj të tëra, ky vendim është marrë me një shpejtësi të rrufeshme brenda një dite dhe shteti është goditur me 500 mijë euro.

Pra, as për shtetin ne nuk i korrigjojmë dot me dorën tonë gafat apo poshtërsitë që ndodhin akoma në sallat e gjyqeve.

Ne nuk kemi në dorë fatin e askujt prapa dyerve të pushtetit gjyqësor, por ama ne kemi në dorë dy gjëra shumë të rëndësishëm për fatin e drejtësisë në Shqipërinë 2030 dhe pastaj më tutje."

/noa.al

Foto arkiv

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit