

Kryetarja e Gjykatës së Apelit të Partisë Demokratike, Adriana Kalaja, prej ditësh është duke sulmuar PD dhe kandidaten më të votuar të Partisë Demokratike, Jorida Tabakun për vjedhje votash.
Akuzat brenda PD vijnë në një kohë kur, Sali Berisha, si kryetari i partisë çdo ditë ka dalë për të denoncuar atë që e cilëson farsën elektorale të Edi Ramës.
Paralelisht edhe grupi i avokatëve të PD janë duke bërë ankime pranë KQZ dhe strukturave të tjera ligjore.
I pyetur sot në media nëse Berisha si kryetar i PD, a ka një qëndrim për këtë zhvillim, ish kryeministri tha se fton të hapen kutitë për të parë nëse ka manipulime nga Jorida Tabaku dhe stafi i saj.
Berisha tha se zonja Adrian Kalaja është një luftëtare e vendosur, e guximshme, e cila në këto 4 vite është përballur direkt me kryeministrin e Shqipërisë më shumë se kushdo tjetër, në linjën e drejtësisë dhe paditë.
Ndërsa shtoi: "Në qoftë se Edi Rama, për hiret e Olta Xhaçkës, urdhëroi që asnjë kuti të mos hapet, unë s’e kam bërë kurrë këtë dhe çdo kandidat që ka dyshimet më të vogla se janë bërë padrejtësi nga cilido, unë e ftoj të marrë dokumentacionin dhe ta verifikojë.
Detyra ime është, pavarësisht nga konsideratat personale që kam, të mbroj parimet bazë. Dhe parimi bazë është, ai që ka dyshime, le t’i faktojë pa pasur asnjë pengesë në sigurimin e të gjithë dokumentacionin.
Janë disa, nuk është vetëm zonja Kalaja. Ka edhe të tjerë. Po ne nuk jemi parti që t’u themi mos hap kutitë. Jo, atë nuk e themi kurrë ne. Kërko të drejtën tënde, ky është parimi ynë", tha Berisha.
Reagimi i tij vjen ndërsa rrjeti është mbushur me dyshime se si ka mundësi që Jorida Tabaku mori aq shumë vota në Tiranë, ndërsa ishte në listën e hapur.
Në ballafaqim faktesh që u bënë publike siç shihni më poshtë, rezulton në mënyrë surprizuese se Tabaku në Tiranë mori 20,565 vota më 11 maj, kurse më 2021 vetëm 5,942 vota.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






