Transmetuar më 26-05-2025, 13:17

PD kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit – Berisha: “Një farsë me shkelje universale”

Tiranë – Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të kërkojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha format e ankimimit ligjor.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha sot se procesi zgjedhor ishte, sipas tij, një farsë e mbushur me shkelje të ligjeve, normave dhe kritereve demokratike.

“Për ta thënë me një fjalë, mjafton të lexoni deklaratën e Edi Ramës se kodi zgjedhor është një kinezëri. Që në këtë moment, ai pranon vetë se nuk do të zhvillojë zgjedhje të vërteta”, tha Berisha.

Ai solli në vëmendje disa rezultate elektorale që, sipas tij, tregojnë ndërhyrjen e strukturave kriminale dhe të kartelëve lokalë, veçanërisht në qytete si Durrësi dhe Vora.

“Nuk mund të kapërdihet fakti që kandidatë të caktuar marrin mijëra vota më shumë, ndërsa të tjerë pësojnë rënie drastike, për shkak të lëvizjeve të grupeve të njohura kriminale”, tha Berisha, duke përmendur emra si Arken Balla, Blendi Gonxhe dhe grupe të dyshuara kriminale në Durrës.

Sipas tij, nëse nuk do të ishte ndërhyrja e bandave, Durrësi mund të kishte rezultuar me “80 për qind në favor të Partisë Demokratike”.

Partia Demokratike pritet të ndjekë rrugën ligjore për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në rang kombëtar. Materialet për ankesat janë në përgatitje, ndërsa vetë kreu i partisë ka paralajmëruar vijim të denoncimeve publike për, sipas tij, “farsën elektorale”. /noa.al

Berisha: Ta harrojë kush se mund të mashtrojë shqiptarët apo demokratët se farsa elektorale fitohet nga opozita

"Forumet janë aktive më shumë se kurrë sot. Po merren me analizën e gjithanshme të farsës. Do përfundojë lufta për ndërgjegjësimin e Shqipërisë dhe botës për farsën elektorale dhe do merren të gjitha vendimet. Kjo është një parti demokratike, e cila ka faktuar që ka të gjitha atributet e një force demokratike. Por, ta harrojë kush se mund të mashtrojë shqiptarët apo demokratët se farsa elektorale fitohet nga opozita.

Farsa elektorale nuk fitohet nga opozita. Dhe ata të cilët duan apo rreken të provojnë këtë, ata injorojnë efektet e arrestimit në vitin elektoral të liderëve të tre partive kryesore apo ndjekjen penale si dhe deputetëve. Pra injorojnë terrorin politik. Ata injorojnë shtetin elektoral i cili shpërndau në këto zgjedhje 100 euro për 48 përqind të votuesve, zgjedhësve, pensionistëve. I cili fali me vendim qeverie 200 milionë euro gjoba dy ditë para zgjedhjeve. I cili shndërroi punonjësit e administratës në patronë të votuesve skllevër që i kontrollonin dhe që ngritën në mbarë vendin zyrat paralele të qendrave të votimit. Injoron përdorimin e mijëra lejeve të legalizimit, licencave, certifikatave të pronësisë dhe lejeve të ndërtimit për vota. Të gjitha në kundërshtim me ligjin. Injoron përdorimin e 500 milionë eurove për prokurime të paligjshme publike. Injoron organizimin e 4500 ngjarjeve, më shumë se tre vite e gjysmë të marra së bashku, për të ndikuar zgjedhësit. Injoron, këndon këngën e Pojës, Suel Çelës dhe efektet e tyre.

Ndaj dhe unë e kuptoj që Edi Rama, mediat që e mbështesin atë janë thellësisht të interesuar të gjejnë çdo pretekst për të mbuluar farsën. Po dielli me shoshë nuk mbulohet me asgjë. Kjo është përgjigjja ime."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit