Transmetuar më 26-05-2025, 12:01

Kombëtarja shqiptare hyn në një nga momentet më të ndjeshme të kualifikueseve për Botërorin 2026, me dy përballje të një rëndësie të jashtëzakonshme. Më 7 qershor, Shqipëria pret Serbinë në “Arenën Kombëtare”, ndërsa më 10 qershor luan ndaj Letonisë në transfertë.

Në konferencën për shtyp, trajneri Sylvinho prezantoi listën e 27 futbollistëve të grumbulluar dhe theksoi mesazhin e tij: fokus maksimal, përgatitje intensive, pa emocione të tepërta, por me shpirt dhe identitet në fushë. Ai nuk përjashtoi ndryshimet taktike për t’i befasuar kundërshtarët, por u shpreh i bindur se grupi aktual ka potencial për të bërë historinë. Dy ndeshje, 180 minuta, dhe objektivi i qartë: pikë dhe krenari për Shqipërinë.

Keni thirrur 27 futbollistë për dy eliminatoret e qershorit, a është ky grupi më i mirë që ka Shqipëria?

Përzgjedhja bazohet në momentin specifik të sezonit. Shumë futbollistë po përfundojnë sezonin e klubet e tyre. Disa mund të jenë të lodhur, pasi kanë luajtur shumë, disa më pak dhe disa vijnë prej pushimeve. Ne kemi 7 ditë në dispozicion për të zhvilluar përgatitjet. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ne.

Përballja me Serbinë është krejt nrydhe nag të tjerat për ne. Çfarë mesazhi do t’iu jepni lojtarëve dhe tifozëve para kësaj ndeshje, që dihet se ka edhe histori nga pas?

Janë ndeshje të vështira, me kundërstharë fizikisht të mirë. Na duhet të punojmë mirë për këto 2 sfida. Unë kam nevojë për 27 futbollistët, duhet të fokusohemi te loja jonë dhe futbolli që dimë të prodhojmë. Jemi ekip që luajmë me shpirt në fushë, kemi indentitet. Duhet të fokusohemi te fusha e lojës, aty ta bëjmë punën tonë sa më mirë.

Efekti surprizë, a do të eksperimentoni me ndonjë sistem ndryshe për t’i befasuar kundërshtarët?

Kemi 7 ditë në dispozicion, duhet të përgatitemi maksimalisht. Të 27 futbollistët e thirrur janë shumë të rëndësishëm. I njohim kundërshtarët dhe i kemi parë ndeshjet e fundit të tyre. Ndoshta mund të kemi disa ndryshime, por duhet t’i shikojmë gjërat edhe gjatë përgatitjeve.

Nga ana cilësore, a është në gjendje kombëtarja jonë të marrë fitoren ndaj Serbisë?

Këto janë ndeshje të forta, të vështira dhe shumë fizike. Kemi 1 vit që luajmë me ekipe të forta dhe kjo do të na ndihmojë. Edhe serbët luajnë fort, pasi kanë futbollistë me shtat të lartë. E rinisin lojën shumë mirë, kanë cilësi, por ne do ta përgatisim mirë këtë duel dhe do të hyjmë në fushë për rezultat pozitiv.

A kemi një plan që futbollistët të jenë sa më të ftohtë dhe të luajnë futboll pa u përfshirë emocionalisht?

Jam i sigurtë që duhet të punojmë për këtë element. Është ndeshje speciale, por rëndësi ka fusha e lojës. Duhet të mendojmë për 90 minutat e lojës, jo gjërat e tjera. Që ditën e parë të përgatitjeve do të fokusohemi në këtë element. Lojtarët që do të vijnë duhet të jenë të fokusuar dhe të japin shpirtin në fushë. Nuk ka kohë për të humbur, pasi çdo minutë në fushë vlen shumë. Unë iu kërkoj lojtarëve që të japin shpirtin në fushë dhe të bëjnë më të mirën.

A e kemi betejën në grup vetëm me Serbinë, pasi Anglinë s’e arrijmë dot?

Tani, që të jemi të sinqertë, në letër Anglia është e fortë. Ka lojtarë të nivelit të lartë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne duhet të marrim pikët tona. Në tetor dhe nëntor mund të shikojmë se sa shanse do të kemi për në Botëror".

A ka ndonjë futbollist që e keni kontaktuar dhe ka ngelur jashtë kësaj liste?

Jam dakort me pyetjen. Julian Shehu është i ri, është hera e dytë në listë. Dajsinani është hera e parë. Aljii është kthyer, Pajaziti është hera e tretë mos gabohem. Një vit e gjysmë më parë, sepse edhe ne harrojmë ndonjëherë për punën që bëjmë, kam kërkuar të printonim listën e parë të të thirruve, e cila ka shumë ndryshime. Janë 10 persona që punojnë ditën, pasdite, natën, rendin pas lojtarëve që mund ta përmirësojmë ekipin. Këtë po bëjmë, fusha flet, duhet të zgjedh 11 prej tyre. Jemi të kënaqur me lojtarët që janë te ne, që po përmirësohen. Po përmirësojnë ekipin, sjellin gjëra të rëndësishme, është e vërtetë që ka limite, nuk mund të bësh shumë ndryshime në çdo grumbullim. Jemi të kënaqur nga këta 27 të thirrur, pres shumë nga të gjithë. Edhe nëse ka ndonjë tjetër, ne jemi në ndjekje për ta parë, por jam krenar për lojtarët e grumbulluar në këtë moment.

Presidenti i Serbisë ka bërë thirrje vetëm për fitore ndaj nesh. Çfarë do t’i thonit atij?

Është mendimi i tij dhe ka të drejtë të thotë çfarë të dojë. Ne do të duhet të futemi shumë fort në fushë. Futbolli do të flasë vetë, në do të punojmë fort për këtë ndeshje.

Pse nuk thirret Christian Shpendi?

Futbolli nuk bëhet vetëm brenda 24 orëve. Pra, nëse është duke performuar mirë momentalisht, duhet futur në lojë. Sa më shumë një lojtar grumbullohet dhe përgjigjet në fushë, aq më shumë shanse ka që të thirret prapë. Unë besoj tek një ekip që ka bazë dhe mund të rritet, të shtojë 3 ose 4 elementë. Nuk besoj në 10 ndryshime për çdo grumbullim, por te një grup që jep më të mirën.

A i trembeni atmosferës dhe ngarkesës që mund të kenë futbollistët?

E kam dëgjuar diçka të tillë, por e bukura e futbollit është se zgjat 90 minuta. Këtë e kam e mësuar shumë vite më përpara me eksperiencë. Janë dy ndeshje të vështira, ku duhet të futemi shumë fort në fushë, të bëjmë më të mirën e mundshme dhe futbolli do të flasë vetë. Unë jam i lumtur me lojtarët që kam përzgjedhur dhe do të punojmë fort. E kam parë atë që ka ndodhur vite më përpara dhe nuk shqetësohem, sepse do t’i përgatisim lojtarët për të luajtur futboll 90 minuta. E bukura e kësaj kombëtareje është se kemi lojtarë nga të gjitha anët e botës, kemi një lojtar shqiptar edhe në Argjentinë. Unë besoj që lojtarët më të mirë në qarkullim janë këta 27 që kemi përzgjedhur. Sigurisht që kemi parë edhe lojtarë të tjerë, kemi listë prej 15-20 lojtarësh që nuk janë grumbulluar, por i vëzhgojmë vazhdimisht, por jam i kënaqur me ata që kemi grumbulluar.

Të shtunën, Asllani do të luajë në finalen e Champions League…

Është një nga ndeshjet më të bukura në botë dhe shpresoj të jetë e tillë. Ne jemi krenar për të, që luan në nivele të tilla. Është ndeshja më e bukur në botë, e kam luajtur edhe unë një sfidë të tillë. Asllani është një futbollist shumë i mirë dhe bën gjithmonë mirë. Nuk humbet asnjë stërvitje dhe punon shumë. Është një lider.

27 futbollistë të grumbulluar, nga cili repart pret më shumë të bëjë diferencën?

Të gjitha repartet janë të rëndësishme. Nuk besoj se ka një repart të vetëm që mund ta fitojë ndeshjen. Janë 11 lojtarë që luftojnë për ta fituar sfidën. Duhet të gjesh një lloj ekuilibri për të bërë mirë. Ne do të punojmë shumë për këtë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit