

Tifozët e Baselit kanë një ëndërr të re, në qendër të saj qëndron Granit Xhaka me fanellën kuq e kaltër. Mesfushori i Bayer Leverkusenit dhe kapiteni i kombëtares zvicerane u shfaq në “St.Jakob-Park” për të përshëndetur vëllanë e tij, Taulant Xhakën, përpara ndeshjes së fundit të kampionatit ndaj Lucernës, e cila ishte edhe e fundit e 34-vjeçarit kosovar si futbollist, dhe pastaj i la të gjithë të pranishmit në stadiumin e mbushur plot me gojë hapur.
Gjatë ceremonisë së lamtumirës, 32-vjeçari i “Aspirinave” mori mikrofonin dhe e përqendroi vëmendjen tek vetja me një fjali të thjeshtë: "Tani mund t’ju them një gjë: një Xhaka po largohet, së shpejti tjetri do të jetë sërish këtu".

Në të kaluarën, Granit Xhaka kishte shprehur disa herë dëshirën për ta përfunduar karrierën te klubi i tij i zemrës, ku bëri hapat e parë që nga moshat e vogla, gjithmonë me shpresën për të luajtur përkrah vëllait të tij më të madh. Tani që kjo nuk është më e mundur (Taulanti u tërhoq zyrtarisht nga futbolli), kapiteni i Zvicrës i ka habitur të gjithë me një deklaratë të qartë për të ardhmen e tij.
Në fakt, mediat në Zvicër kanë shpërthyer dhe entuziazmi i tifozëve të Baselit është rritur ndjeshëm, por drejtuesit e klubit kanë deklaruar se nuk janë informuar për asnjë vendim dhe, sipas raportimeve, nuk ekzistojnë kushtet që Xhaka të kthehet për momentin, pa përmendur ambicien e lojtarit të lindur më 1992 për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 dhe rëndësinë që ka aktualisht në projektin e Leverkusenit.
Duke folur realistisht, ky “operacion romantik” mund të realizohet vetëm kur t’i skadojë kontrata, në vitin 2028, kur Xhaka të jetë 36 vjeç, përveç nëse ndodh ndonjë surprizë e madhe.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






