

Pas një sezoni për t’u harruar, Milani nis një proces të thellë rindërtimi. Eliminimi nga kompeticionet europiane ka shkaktuar një plagë të rëndë për klubin kuqezi, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe financiar. Megjithatë, drejtuesit janë të vendosur ta rikthejnë skuadrën në nivelet më të larta, siç e konfirmoi edhe administratori i deleguar Giorgio Furlani në një intervistë për DAZN:
“Ka shumë zhgënjim, keqardhje dhe zemërim te tifozët, ndjesi që i ndajmë edhe ne si klub. Sezoni ka përfunduar, që nesër do të nisim nga e para për të ndërtuar të ardhmen. Janë bërë shumë gabime, nuk mund të përmendim vetëm një. Fakti që jemi kaq larg objektivave do të thotë se kemi gabuar në disa fronte”, – deklaroi Furlani me sinqeritet.
Rindërtimi nis nga drejtori sportiv – Pika e parë në axhendën kuqezi është emërimi i një drejtori të ri sportiv. Të gjitha rrugët çojnë drejt Igli Tares, ish-drejtues i suksesshëm i Lazios. “Java që nis do të jetë ajo e njoftimeve, duhet të presim edhe pak ditë”, – paralajmëroi Furlani.
Gabime në merkato, por pa shitje të detyruara – Milani pritet të bëjë ndryshime në organikë, por pa e shkatërruar bërthamën e skuadrës. “Duhet të kuptojmë çfarë nevojitet për ta përforcuar këtë ekip. Janë bërë shumë gabime në vlerësim dhe kjo duhet të ndryshojë. Duhet të punojmë për interesin e Milanit”, – theksoi ai.
Në media është përfolur për një shitje të mundshme të mesfushorit Reijnders te Manchester City, por Furlani mbylli çdo debat: “Nuk kemi nevojë për sakrifica ekonomike. Jemi të qëndrueshëm dhe do të veprojmë me logjikë”.
Një verë e zjarrtë pritet në Milano – Për tifozët kuqezinj, ky është momenti për të parë nëse premtimet do të shndërrohen në veprime. Me emërimin e Igli Tares si drejtor sportiv dhe një merkato inteligjente, Milani synon “të rilindë”, pa pasur nevojë t’i shesë yjet e veta.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






