

Pas mbylljes perfekte të sezonit në La Liga, Hansi Flick ka dhënë sinjalin e parë të fortë për Barcelonën e së ardhmes. Tekniku gjerman, i entuziazmuar nga paraqitja e skuadrës së tij në sfidën ndaj Athletic Bilbao, e cilësoi nivelin e treguar si standardin që duhet ruajtur për sezonin e ardhshëm.
I impresionuar nga presioni i ushtruar, mentaliteti i lojtarëve dhe atmosfera që e rrethoi ndeshjen, Flick dha mesazhe të qarta për projektin që po ndërton në “Camp Nou”, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit, përkushtimit dhe qartësisë për të ardhmen; qoftë te porta, qoftë në drejtimin e ekipit.
Në deklaratat e tij nuk munguan edhe komplimentet për tifozët, portierin Peña dhe legjendat që po i japin lamtumirën fushave të blerta: “Lamtumira e këtij sezoni ishte vërtet perfekte. Kishim folur për këtë, donim ta mbyllnim mirë dhe të luanim si gjatë gjithë sezonit. Jam i lumtur sepse e bëmë, edhe pse ishim shpallur tashmë kampionë.
Ishte e mrekullueshme të shihje që konkurruam në këtë nivel. Ishte një ndeshje perfekte kundër një prej ekipeve më të mirë të La Liga-s dhe në një atmosferë të madhe. E pëlqeva gjithçka që përjetova, sa mirë ta përfundonim sezonin kështu. Në këtë nivel, ta mbyllësh sezonin kështu, është perfekte.
Niveli që treguam është ai që dua të shoh sezonin e ardhshëm, veçoj sidomos presionin e ushtruar. Athletic donte të ushtronte presion, por nuk ia doli. Dua të veçoj Gavin dhe Pedrin në këtë aspekt të presionit.
Pse luajti Iñaki Peña në portë? Ai nuk ishte i kënaqur, ishte i trishtuar me vendimin që morëm gjatë sezonit. E vërteta është që jep gjithçka në stërvitje, është një profesionist shumë i mirë dhe e meritonte. I jam mirënjohës, ndihem i lumtur që e mbylli me portën e paprekur.
Niveli i Joan Garcia, portieri i Espanyolit? Duhet të pyesni Delan, është ai që merret me portierët. Në fakt është një portier i shkëlqyer, por nuk flas për lojtarët e ekipeve të tjera. Ne kemi tre portierë të mëdhenj”.
Urime të përzemërta pati trajneri gjerman edhe për lamtumirat nga La Liga të De Marcos dhe Luka Modric: “Në këto mosha, për të luajtur në atë nivel duhet të kesh një mentalitet të madh, qëndrim të mirë dhe profesionalizëm. Iu uroj më të mirën, sepse i kanë dhënë shumë futbollit. Iu uroj fat në hapin e radhës të jetës së tyre”.
Nuk mungoi të komentonte edhe Xabi Alonson, trajnerin e ri të Real Madridit, shpjegoi: “Kam folur shumë herë me të, është një trajner i madh. Ka pasur sukses në Leverkusen, në nivelin më të lartë dhe me lojë shumë tërheqëse. E ngriti shumë nivelin e lojtarëve, jam i lumtur që do të vijë në La Liga”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






