Transmetuar më 26-05-2025, 08:53

Pas fitores së Juventusit në “Penzo” kundër Venezias, që siguroi pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm, trajneri i bardhezinjve Igor Tudor foli për mikrofonat e DAZN.

Komenti mbi ndeshjen: “Luajtëm mirë, qëndruam të qetë edhe kur ishim në disavantazh. Përgëzime për djemtë, të cilët u vunë në dispozicion që nga dita e parë dhe punuan në mënyrë perfekte. Është një arritje e bukur, jam i lumtur. Çdo ndeshje është e ndryshme, por thuajse në të gjitha kemi luajtur pa 1 ose 2 titullarë. Për këtë arsye, përgëzime edhe më të mëdha, vendin e katërt e kemi merituar në fushë”.

Kur do të mësohet e ardhmja e tij: “E ardhmja ime do të mësohet para Kupës së Botës për Klube, siç është e drejtë. Përndryshe, të shkoja atje dhe pastaj të mos isha trajner për sezonin tjetër, nuk do të ishte korrekte për askënd. Nuk kam folur ende me drejtuesit. Është krejtësisht normale që të kërkoj të di të ardhmen time, për një trajner kjo është diçka logjike”.

Mbresat që i lë ky sezon ekipit bardhezi: “Përjetuam shumë emocione në pak kohë. Me mënyrën sesi përfundoi, me një ndeshje të çmendur, djemtë e donin me të vërtetë këtë objektiv. Nuk është e lehtë ta përballosh këtë presion. I përgëzoj, ishte jashtëzakonisht e vështirë. Në çdo ndeshje na kanë munguar 1-2 titullarë, mes pezullimeve dhe dëmtimeve. Kemi pasur vështirësi të mëdha. Kjo e bën arritjen edhe më të ëmbël. Trajnerët gjithmonë kanë ulje-ngritje. Mundohem të shijoj jo rezultatin, por rrugën që kemi ndërtuar. Është bukur të shohësh se kur provon të arrish diçka, ia del”.

A ekziston baza te Juventusi për të fituar titullin: “Çfarë mungon? Mungon formacioni i plotë për shkaqe dëmtimesh apo pezullimesh dhe 2-3 përforcime të sakta, me cilësi, që të sjellin diçka më shumë në ekip. Në këtë mënyrë, mund të luftojmë për titullin”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit