Transmetuar më 26-05-2025, 08:11

Asnjë alarm për Kvaratskhelia te PSG. Gjeorgjiani mbeti, në mënyrë të papritur, jashtë finales së Kupës së Francës, të cilën të tijtë e fituan 3-0 ndaj Reims. Fillimisht ishte paralajmëruar si titullar, por në formacionin zyrtar u shfaq Désiré Doué në vend të tij. Madje në fund të pjesës së parë, ai besohet se është larguar nga “Stade de France” për t’u kthyer në shtëpi.

Shkaku? Sipas “Le Parisien”, ish-sulmuesi i Napolit ka ndjerë një dhimbje koke të lehtë para fillimit të ndeshjes. Megjithatë, në prag të finales së Ligës së Kampionëve ndaj Interit, që do të luhet të shtunën në “Allianz Arena”, nuk pritet të ketë asnjë problem për të. Bëhet fjalë vetëm për një krizë migrenoze të momentit, ndaj pjesëmarrja e tij nuk është aspak në dyshim.

Pas ndeshjes, Luis Enrique i qetësoi të gjithë: “Kvara është shumë mirë, por nuk mundi të luante sepse nuk ndihej komod pas nxehjes. Nuk është asgjë serioze. Vendosëm se kishte nevojë për pushim. Është në shtëpi, ndihet mirë. Është diçka e vogël, do të jetë gati për stërvitje të martën. Nuk ka problem. Thjesht pas nxehjes nuk ndihej mirë, ishte pak i trullosur. Prandaj vendosëm të mos rrezikonim me një lojtar që nuk ndihej mirë”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit