Transmetuar më 26-05-2025, 08:08

Matteo Gabbia, mbrojtësi i Milanit, pas fitores kundër Monzës foli kështu për mikrofonat e “SportMediaset”: "Pak a shumë ndodhi ashtu siç e prisnim, kishim lexuar atë që po përgatiste ‘curva sud’. Jemi të zhgënjyer për mënyrën se si përfundoi sezoni, rezultati i sotëm është gjëja e fundit që ka rëndësi.

Kur mbërrin një klimë e tillë në stadium, do të thotë që sezoni nuk ka qenë pozitiv. E dimë, na vjen keq. E vetmja mundësi tani është të përpiqemi të rifillojmë sa më shpejt sezonin tjetër me kokën në vend, të bashkuar si skuadër për të arritur objektivat që i vendosim vetes".

Për gabimet e bëra në sezonin që sapo u mbyll: "Gabimet i dimë në dhomat e zhveshjes. Është e drejtë të kemi folur shumë mes nesh, nevojiten ndryshime në grupin tonë. Të gjithë duhet të japim diçka më shumë, unë i pari, të bëjmë më mirë. Nevojitet vërtet bashkim i të gjithëve, çka ndihmon për t’i kapërcyer vështirësitë që ka çdo sezon dhe çdo skuadër".

Për ardhjen e një drejtori të ri sportiv: "Nuk jam unë ai që duhet të them çfarë mungon dhe çfarë jo. Unë jam këtu si lojtar, duhet të përpiqem të bëj sa më mirë punën time. Pastaj, për të qenë i sinqertë, neve nuk na ka munguar asgjë, është e drejtë që të mendojmë për atë që duhet të bëjmë më mirë në fushë, ky duhet të jetë prioriteti ynë. Këtu te Milani nuk na mungon asgjë. Duhet të marrim përgjegjësitë tona, të fokusohemi në fushë dhe të bëjmë më mirë se këtë sezon".

Për largimet e mundshme: "Unë këtë dëshirën për largim nuk e kam parë tek asnjë lojtar. Të gjithë janë vënë në dispozicion të skuadrës deri në fund, edhe në vështirësi. Mendoj se është e drejtë të qëndrojë këtu ai që me të vërtetë dëshiron të qëndrojë. Nuk kam parë askënd që do të largohet, por gjithsesi është e rëndësishme që kush qëndron këtu të japë shpirtin dhe të mos ketë asgjë tjetër në mendje, veç Milanit. Të përqendrohet, të bëjë më të mirën në fushë dhe në Milanello çdo javë".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit