Transmetuar më 26-05-2025, 07:58

Xabi Alonso është kthyer në shtëpi. Me një njoftim zyrtar në faqen e vet zyrtare, Real Madridi ka bërë të ditur se ish-mesfushori i bardhë në periudhën 2009-2014 do të marrë stafetën nga Carlo Ancelotti, i cili tashmë është konfirmuar si trajner i Brazilit deri në Botërorin 2026.

Trajneri spanjoll, 43 vjeç, ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2028 dhe largohet nga Bayer Leverkuseni pas tri vitesh suksesi, ku fitoi një kampionat pa asnjë humbje, një Kupë të Gjermanisë dhe një Superkupë Gjermane.

Prezantimi i tij do të zhvillohet të hënën në "Real Madrid City", ndërsa nga 1 qershori do të nisë punën me skuadrën, të cilën do ta drejtojë fillimisht në Botërorin e Klubeve, që do të zhvillohet në SHBA, duke filluar më 14 qershor.

Ja njoftimi zyrtar i klubit madrilen:

“Real Madrid C.F. njofton se Xabi Alonso do të jetë trajneri ynë për tri sezonet e ardhshme, nga data 1 qershor 2025 deri më 30 qershor 2028. Xabi Alonso është një nga legjendat më të mëdha të Real Madridit dhe të futbollit botëror. Ai mbrojti fanellën tonë në 236 ndeshje zyrtare, nga viti 2009 deri më 2014.

Gjatë asaj kohe ai fitoi 6 tituj: “La Décima” (Liga e dhjetë e Kampioneve) në Lisbonë, 1 Superkupë Europe, 1 titull në La Liga, 2 Kupa të Mbretit dhe 1 Superkupë të Spanjës.

Xabi Alonso është gjithashtu një legjendë e kombëtares spanjolle, me të cilën ka fituar 1 Kupë Bote (2010) dhe 2 Kampionate Europiane (2008 dhe 2012), duke regjistruar 113 paraqitje me ekipin kombëtar.

Karrierën si trajner e nisi në sektorin e të rinjve të Real Madridit, duke drejtuar në sezonin 2018–2019 ekipin e të rinjve A, me të cilin fitoi kampionatin dhe ‘Torneo de Campeones’.

Tani kthehet te Real Madridi si një nga trajnerët më të mirë në botë, pas suksesit historik me Bayer Leverkusenin, me të cilin fitoi Bundesligën, Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë në vetëm tri sezone”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit