Transmetuar më 25-05-2025, 17:25

Një 38-vjeçar shqiptar humbi jetën mbrëmjen e së shtunës në Itali, pas një ndjekjeje me shpejtësi nga policia.

I riu, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u përplas me një shtyllë ndriçimi dhe më pas mjeti i tij u përmbys.

Ngjarja ndodhi në një nga lagjet e Nettuno-s. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, shqiptari iu arratis policisë pasi në makinë kishte një sasi të madhe kokaine.

Ndjekja ndaj tij filloi rreth orës 20:30, kur efektivët nuk ndaluan dot dy makina në një postbllok.

Një prej mjeteve të policisë arriti të ndalojë të parën, në drejtimin e të cilit, ishte një 28-vjeçar italian.

Ndërsa shqiptari mori një drejtim tjetër. Ai u fut në një rrugë rurale, të paasfaltuar.

Për shkak të shpejtësisë së lartë dhe rrugës me gropa, makina e tij u përplas me një shtyllë ndriçimi dhe më pas u përmbys.

Për pasojë, 38-vjeçari mori lëndime shumë të rënda dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes para se të shkonte ambulanca. Trupi i pajetë i tij u dërgua në morg, ku pritet t’i nënshtrohet autopsisë.

Policia gjeti në mjetin e tij, 25 kilogramë kokainë të ndarë në 23 pako.

Sakaq italiani i arrestuar në makinën tjetër akuzohet për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit