Transmetuar më 25-05-2025, 12:44

Policia e Lezhës ka vijuar me operacionin antikanabis të koduar “Koordinata”, që synon parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në zonat malore të qarkut. Si rezultat i fazës së fundit të këtij operacioni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe Stacionit të Policisë Shëngjin kanë zbuluar një parcelë të madhe me rreth 3334 fidanë dhe bimë kanabis sativa, në malin e Rrencit.

Gjatë ndërhyrjes në terren, është arrestuar në flagrancë shtetasi Serxhio Bregna, i njohur edhe me emrin Serxhio Matija, 30 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër. Ai ishte person në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Po ashtu, në vijim të hetimeve dhe kontrollit të zonës, janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë të dyshuar:

Mateo Bregna, 25 vjeç, vëllai i të arrestuarit, dhe

Florjan Fratija, 30 vjeç, të dy banues në Velipojë, Shkodër.

Të dy vëllezërit Bregna rezultojnë të shpallur në kërkim nga DVP Shkodër për të njëjtën vepër penale, në kuadër të një tjetër hetimi për ngjarje me dhunë.

Gjatë operacionit policor është sekuestruar një armë gjahu, e cila dyshohet se përdorej për ruajtjen e parcelës së kanabisit, ndërsa bimët dhe fidanët narkotikë janë asgjësuar në vend me anë të djegies, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale për hetimet në vijim.

Policia bën me dije se operacioni “Koordinata” vijon pa ndërprerje, ndërsa shërbimet operacionale janë angazhuar në kontrolle intensive për gjetjen dhe asgjësimin e çdo rasti të ngjashëm, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit