

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet, ku një 52-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti gjatë punës.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Tiranës, shtetasi me inicialet B.H. po punonte në banesën e një qytetari, F.H., ku ishte angazhuar për çmontimin dhe heqjen e një bolieri uji. Gjatë kryerjes së punës, bolieri është shkëputur dhe ka rënë mbi të, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë.
Pavarësisht përpjekjeve për ta transportuar me urgjencë në spital, 52-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
“Ngjarja ka ndodhur më datë 24.05.2025, në rrugën ‘Myslym Shyri’. Gjatë punës për çmontimin e një bolieri, ai është shkëputur dhe i ka shkaktuar dëmtime në kokë shtetasit B.H., 52 vjeç, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital. Nga specialistët e Komisariatit Nr. 2 janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet janë referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e policisë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar masat e sigurisë në vendin e punës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






