Transmetuar më 25-05-2025, 10:55

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 31-vjeçarin Arlind Kajoshu, i shpallur në kërkim për disa vepra penale, në kuadër të një hetimi të thelluar për konfliktin e ndodhur më 3 qershor 2024 në rrugën “Pogej”, ku u dhunua rëndë një shtetas për motive të dobëta.

Kapja e Arlindit u bë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda. Ai ishte shpallur në kërkim për akuzat: “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”, të gjitha kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, Arlind Kajoshi është përfshirë në konfliktin e ashpër për vendparkimin e makinave që ndodhi në rrugën “Pogej” më 3 qershor 2024, ku shtetasi V. B., 62 vjeç, u godit në kokë me sende të forta dhe u dërgua në gjendje të rënduar në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Në vijim të hetimeve, më 21 janar 2025, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” edhe për shtetasit S. T., 25 vjeç dhe I. S., 24 vjeç, të cilët u vetëdorëzuan në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Ata akuzohen për të njëjtat vepra penale si A. K. dhe janë dyshuar si bashkëpunëtorë në ngjarjen e dhunshme.

Ndërkohë, më 4 qershor 2024, policia kishte identifikuar 6 shtetas të përfshirë në këtë ngjarje:

E. S., 47 vjeç (arrestuar menjëherë)

I. S., 23 vjeç (në kërkim, më pas vetëdorëzuar)

S. H., 27 vjeç (ende në kërkim)

A. K., 31 vjeç (tashmë i arrestuar)

S. T., 24 vjeç (vetëdorëzuar)

A. B., 27 vjeç (në kërkim)

Sipas të dhënave hetimore, grupi në fjalë e ka goditur me mjete të forta shtetasin V. B., ndërsa dyshohet se E. S. ka patur armë zjarri me vete në momentin e përplasjes. A. B. akuzohet se ka ndërmarrë veprime për të penguar zbulimin e ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:40 të datës 3 qershor 2024, në lagjen “Partizani”, ku përplasja për një vendparkim përshkallëzoi në dhunë fizike të rëndë ndaj 62-vjeçarit V. B. Reagimi i menjëhershëm i policisë bëri të mundur ndalimin e njërit prej autorëve dhe nisjen e një operacioni të gjerë hetimor dhe ekzekutiv.

Të gjithë të dyshuarit përballen me akuzat: “Vrasje” e mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosje” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Policia e Shkodrës ka bërë të ditur se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit S. H., 27 vjeç, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit