

Tiranë, 24 maj 2025– Regjisori i shquar shqiptar, Piro Milkani ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në fushën e kinematografisë shqiptare.
Lajmin e trishtë e bëri të ditur i biri i tij, Eno Mikani, përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale: "Iku babai, shoku dhe kolegu im."
Piro Milkani lindi më 9 dhjetor 1939 në qytetin e Korçës. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua në degën e operatorit.
Karriera e tij në kinematografi përfshin regjinë e mbi 20 filmave artistikë dhe dokumentarë, duke përfshirë tituj të njohur si "Kur zbardhi një ditë" (1971), "Zonja nga qyteti" (1976), "Ballë për ballë" (1979), "Militanti" (1984) dhe "Ngjyrat e moshës" (1990). Përveç regjisorit, ai ka kontribuar edhe si skenarist, operator dhe producent.
Në vitin 1997, Milkani u nderua me “Çmim të Veçantë” për të gjithë krijimtarinë e tij artistike në Euro-Festivalin e Saint-Étienne, Francë. Në vitin 1987, ai mori titullin “Artist i Popullit”.
Në vitin 2024, Milkani mori diplomën e tij të Fakultetit të Filmit pas 63 vitesh, një ngjarje që u shënua me një ceremoni në Çeki.
Përveç karrierës së tij në kinematografi, Milkani ka pasur një periudhë si diplomat dhe ka kontribuar në organizimin e festivaleve të filmit.
Vepra e tij ka lënë një ndikim të thellë në kulturën shqiptare dhe do të kujtohet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin e filmit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






