Transmetuar më 24-05-2025, 13:04

Titullar nga fillimi deri në fund, luajti 38 ndeshje nga 38 të mundshme në total. Vetëm një herë i zëvendësuar, pak minuta para përfundimit të ndeshjes. Një gol, vendimtar për fitoren në fushën e Genoa. Një asist, në ndeshjen e parë direkte kundër Interit. Mbi të gjitha, një sezon ku ai ka shkëlqyer në qendër të mbrojtjes së Napolit.

Amir Rrahmani, pas këtij sezoni, nuk mund të përmendet më si partneri i Koulibaly apo Kim, sepse këtë herë, këtë sezon, ka qenë lideri i mbrojtjes “axurre”. Kapiteni i kombëtares kosovare mund të quhet “ministri” i një reparti që ka qëndruar në këmbë pa pasur siguri përreth: Alessandro Buongiorno derisa e ndalën dëmtimet, më pas Juan Jesus derisa u detyrua të tërhiqej. E në fund, pas një ndeshjeje me Rafa Marin, edhe një Mati Olivera i përshtatur në mbrojtje.

Kush do ta kishte menduar këtë kur u ble 5 vite më parë, mes shumë dyshimeve. U ble pas vetëm një sezoni të mirë te Hellas Verona, nga një mbrojtje ku lojtari më i çmuar konsiderohej Marash Kumbulla. Një sezon mësimi pas dyshes Manolas-Koulibaly, më pas një tjetër me senegalezin në krah dhe një tjetër si partner i Kim.

Sezoni i kaluar për Rrahmanin ishte më i vështiri, ndërsa ky që sapo përfundoi ishte më entuziast. Sepse, krahasuar me dy vite më parë, qendërmbrojtësi kosovar ka pasur një rol të ndryshëm. "Amir është një ushtar, një robot. Ai është i kalibruar, një kompjuter.

Më ka habitur, sepse është një punëtor i madh. Duhet t’i thuash gjërat, por ai i përvetëson dhe i zbaton menjëherë", – tha Conte për të para pak kohësh. Fjalë që e shpjegojnë mirë rritjen e një futbollisti që kurrë nuk ka qenë i paracaktuar për sukses. Rrahmanit i është dashur të derdhë djersë deri në pikën e fundit për lavdinë që tani ka ardhur.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit