

Vlorë – Policia parandalon përshkallëzimin e një konflikti me armë dhe thikë në Panaja, arrestohet 28-vjeçari, procedohet 34-vjeçari
Një konflikt mes dy shtetasve në fshatin Panaja të Vlorës ka rrezikuar të përshkallëzohet në ngjarje me pasoja të rënda, por ndërhyrja e menjëhershme e Policisë së Shtetit ka parandaluar përkeqësimin e situatës.
Ngjarja ndodhi pas një përplasjeje për motive të dobëta mes shtetasve Kejvi Bendaj, 28 vjeç, dhe B. B. (i njohur edhe si B. H.), 34 vjeç, të dy banues në Panaja. Policia njoftoi se 28-vjeçari Bendaj kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", të vendosur më herët nga Gjykata për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Pavarësisht kësaj, ai ka dalë nga banesa dhe ka goditur me thikë 34-vjeçarin, si dhe i ka dëmtuar automjetin.
Pas ngjarjes, 34-vjeçari ka reaguar duke shkuar në banesën e Bendajt, ku e ka kanosur me një armë gjahu dhe i ka dëmtuar automjetin, duke u bërë edhe ai subjekt i hetimit penal.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Kejvi Bendaj, ndërsa ndaj shtetasit B. B. ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”. Arma e gjahut e përdorur për kanosjen është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Shtetasi B. B. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






