

NEW YORK – Këngëtari legjendar amerikan Billy Joel ka anuluar të gjitha koncertet e planifikuara në Amerikën e Veriut dhe Angli, pas diagnostikimit me një çrregullim serioz të trurit që ka ndikuar ndjeshëm në dëgjimin, shikimin dhe balancën e tij.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin Instagram, Joel, 76 vjeç, njoftoi se i është diagnostikuar me hidrocefalus me presion normal (Normal Pressure Hydrocephalus – NPH), një sëmundje që, sipas Klinikës Cleveland, ndikon në aftësitë e trurit si të menduarit, përqendrimi, kujtesa, lëvizja dhe më shumë.
“Së fundmi, performancat e shumta në koncerte e kanë përkeqësuar gjendjen time, duke shkaktuar probleme me dëgjimin, shikimin dhe ekuilibrin,” thuhet në deklaratën e ekipit të artistit. “Sipas udhëzimeve të mjekëve, Billy po ndjek terapi fizike të specializuar dhe është këshilluar të ndalojë përkohësisht çdo dalje skenike gjatë procesit të rikuperimit.”
Vetë Joel u shpreh: “Më vjen sinqerisht keq që po zhgënjej publikun tonë dhe ju falënderoj për mirëkuptimin.”
Kujtojmë se në muajin mars, “Piano Man” njoftoi se kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale dhe kishte nisur terapi fizike. Edhe pse atëherë u deklarua se do të shërohej plotësisht, nuk është e qartë nëse këto probleme kishin lidhje me hidrocefalusin.
Ky çrregullim, i rrallë dhe shpesh i vështirë për t’u diagnostikuar, mund të shkaktojë vështirësi në ecje, humbje të kontrollit të fshikëzës dhe probleme me kujtesën. Në raste të caktuara, trajtimi kirurgjikal përmes vendosjes së një tubi për të kulluar lëngun e tepërt nga truri jep rezultate të mira.
Turneu i planifikuar i Joel për verën përfshinte ndalesa në stadiumin Yankee dhe Citi Field në New York, si dhe në MetLife Stadium në New Jersey. Të gjitha koncertet janë anuluar dhe biletat do të rimbursohen.
Billy Joel përfundoi në korrik 2024 një rezidencë historike 10-vjeçare në Madison Square Garden me 150 koncerte të shitura plotësisht. Ai vazhdoi të turnonte pas kësaj, por për momentin, rikuperimi shëndetësor mbetet përparësi. /noa.al me të dhëna nga AP
FOTO: AP
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






