

Prishtinë, 23 maj 2025 – Zëvendësministri i Kosovës, Arbër Vokrri, u shkarkua të premten pas akuzave të rënda mbi deklaratat e tij publike dhe qëndrimet politike që kanë shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë vendit.
Shkarkimi i Vokrrit erdhi menjëherë pasi ai deklaroi se "ndërkombëtarët kishin nxitur trazirat në veri", por kjo nuk ishte hera e parë që ai bëhej pjesë e polemikave të ashpra. Më herët, ai kishte komentuar edhe prejardhjen e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke e quajtur atë dhe familjen e tij “pravosllavë” dhe duke pretenduar se janë varrosur në manastirin më të shenjtë serb.
“Ky sultan gjysmëshqiptar e mundi perandorin gjysmëserb të Bizantit… Kastriotët pravosllavë u bënë murgj në manastirin më të shenjtë serb,” kishte shkruar Vokrri në një koment në Facebook.
Përveç qëndrimeve të debatueshme historike, Vokrri u përfshi edhe në diskutime fetare, ku shfaqi bindje të forta pro-islamike. Gjatë një iftari të organizuar nga imami Shefqet Krasniqi, ai u shpreh se shqiptarët kanë një mision për përhapjen e Islamit në Perëndim, duke e cilësuar këtë si pjesë të identitetit kulturor të kombit shqiptar.
“Për më shumë se gjashtë shekuj jemi në ndikim të fuqishëm të qytetërimit islam. Ne jemi populli i vetëm me rëndësi politike që mund të krenohet si produkt i përhapjes së Islamit drejt Perëndimit,” tha Vokrri gjatë fjalës së tij.
Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të shumta dhe janë cilësuar si përçarëse, duke çuar përfundimisht në largimin e tij nga posti qeveritar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






