Transmetuar më 24-05-2025, 07:10

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes kundër Fulham, që do të mbyllë sezonin në Premier League për skuadrën e tij, iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me mbrojtësin e huazuar, me të drejtë blerjeje, te Milani, Kyle Walker. A ka ndonjë mundësi që Walker të luajë në Botërorin e Klubeve me City? “Jo”, – u përgjigj prerazi trajneri spanjoll.

Kujtojmë se anglezi mund të blihet nga kuqezinjtë për një shumë prej 5 milionë eurosh, klauzolë që mund të aktivizohet deri më 30 qershor. Pas kësaj date, ai pritet të rikthehet në Manchester, ku ka kontratë me klubin e “Etihad” deri në verën pasuese.

Sa i përket sulmuesit Erling Haaland, Guardiola shtoi: “Çdo ndeshje që luan, përmirësohet. Të dielën do të na ndihmojë të kualifikohemi për Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm”.

Guardiola gjithashtu shprehu mbështetjen e tij për Phil Foden, i cili është përjashtuar nga kombëtarja angleze, pasi kishte deklaruar se po vuante nga lodhja fizike dhe mendore, pjesërisht për shkak të një problemi në kyçin e këmbës:

“Gjithçka që duam është ta ndihmojmë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Ai ka nevojë për pushim dhe kjo do të ndodhë pas së dielës. Hap pas hapi do të rikthehet aty ku duam. Dua vetëm ta ndihmoj. Kjo është ajo që duam. Nuk më intereson performanca e tij në fushë. Dua që ai të ndihet mirë dhe pastaj, pjesa tjetër do të vijë vetvetiu”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit