

Në një karrierë të mbushur me magji, rekorde dhe trofe, ku çdo gol mund të ishte një kryevepër në vetvete, Lionel Messi ka vendosur të veçojë një si më të veçantin e të gjithëve. Jo një “solo driblim” nga mesi i fushës, jo një perlë nga jashtë zone, por një gol me kokë.
“Kam shënuar shumë gola, që ndoshta janë edhe më të bukur, me vlerë të madhe gjithashtu për rëndësinë që kanë pasur, por goli me kokë në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester United ka qenë gjithmonë i preferuari im”, – ka deklaruar Messi të enjten në një deklaratë emocionuese.
Ishte nata e 27 majit 2009 në “Stadio Olimpico” të Romës, kur Barcelona dhe Manchester United përballeshin për fronin e kampionit europian. Një finale e madhe, me emra të mëdhenj në fushë, por me një Messi që do të shkëlqente si kurrë më parë.
Në minutën e 70-të, pas një krosimi të magjishëm nga Xavi, ai, më i vogli ndër gjigantët, fluturoi mes mbrojtësve anglezë dhe goditi me kokë, duke e çuar topin në rrjetë dhe ngritur në këmbë gjithë botën blaugrana.
Me atë gol, Leo preku qiejt e Romës… Një moment që nuk u mat vetëm me rëndësinë e një trofeu të fituar, por me përjetësinë që krijon futbolli kur ndalet koha dhe legjendat shkruhen në letër të artë.
Goli në Romë nuk ishte thjesht tundje rrjete, por ngjitje në “Olimpin” e futbollit. Një ikonë si Messi vërtetoi se mund të befasojë edhe me një goditje të rrallë për profilin e tij, me kokë, që e ktheu atë ndeshje në një pjesë të pandashme të mitologjisë së futbollit modern.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






