

Igli Tare është emëruar drejtori i ri sportiv i Milanit. Sipas asaj që raporton redaksia e “Tuttomercatoweb”, drejtuesi shqiptar ka nënshkruar zyrtarisht kontratën e tij të re me klubin kuqezi, duke i dhënë fund pritjes së emërimit, që ishte pezull prej disa javësh.
Tare ka firmosur një marrëveshje 2-vjeçare, me opsion për një sezon të tretë, ndërsa paga e tij do të jetë 800 mijë euro në vit.
Kjo është një lëvizje e rëndësishme në nivel drejtues për Milanin, që tashmë synon rilindjen e projektit sportiv për sezonin e ardhshëm. Një sezon ku, sipas pritshmërive të pronësisë dhe tifozëve, do të kërkohet kthimi në majat e futbollit italian dhe europian.
Zyrtarizimi nga klubi kuqezi pritet në orët në vijim, çka do t’i hapë rrugë menjëherë fazës tjetër të nxehtë: zgjedhjes së trajnerit të ri.
Në një intervistë të pak ditëve më parë, vetë Igli Tare, i pyetur mbi mundësinë për të punuar te Milani, ishte shprehur me emocion: “Milani është një objektiv për këdo. Të punosh për një klub historik dhe të lavdishëm si ky do të ishte nder. Kam kërkuar gjithmonë ta përfaqësoj vendin tim, ndërsa njëkohësisht të jem shembull për shumë italianë. Jam gjysmë italian, punoj këtu që prej gjysmës së jetës sime, kam pasaportë italiane dhe e mbaj me krenari. Ju jam shumë mirënjohës”.
Me përvojën e tij të gjatë te Lazio dhe njohjen e thellë të tregut italian dhe ndërkombëtar të futbollit, Tare pritet të luajë një rol kyç në rindërtimin e Milanit, duke filluar me përzgjedhjen e trajnerit të ri dhe më pas me strategjinë në merkato.

Ja urimi i Armand Dukës, presidentit të FSHF-së për të: "Urime Igli! Emërimi yt si drejtor sportiv i klubit të Milanit është një arritje vërtetë e rëndësishme. Besoj fort se profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni yt do ta ndihmojnë këtë klub legjendar të rikthehet në nivelet që i takojnë, ashtu si në kohët e lavdishme të historisë së tij.
Ti ke dëshmuar më parë te Lazio, ku për vite me radhë ke ndërtuar me sukses një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në arenën ndërkombëtare. Tani të pret një tjetër sfidë e madhe, por jam i bindur se do t’ia dalësh edhe këtë herë, me të njëjtën maturi dhe pasion për lojën".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






