

Arne Slot, trajneri i Liverpool-it, që sapo ka fituar Premier League në sezonin e tij të parë, ka mbajtur konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes. Ai e ka kthyer vëmendjen edhe nga sezoni i ardhshëm, që do të jetë i pari pa Trent Alexander-Arnold, i cili do të largohet me parametër zero drejt Real Madridit:
“Nuk jam plotësisht i kënaqur me atë që ka treguar në stërvitje. Gjithsesi, ai do të largohet. Ndoshta është dhurata e parë që mund t’i bëj Xabi Alonsos. I kam thënë që është shumë më i mirë nga ç’e mendojnë njerëzit, por nuk e tregon gjithmonë këtë gjë. Sipas meje, ka pasur momente kur ka mundur të japë më shumë, për të mos thënë më shumë se kaq”.
Në lidhje me deklaratën e Decos, drejtorit sportiv të Barcelonës, i cili kishte shprehur admirimin e tij për Luis Díaz, trajneri holandez u shpreh qartë: “Edhe unë admiroj Lamine Yamal e Raphinha. Ka shumë lojtarë që do t’i doja, por të flasësh për ata që kanë kontratë me klube të tjera është e komplikuar”.
Slot më pas shprehu krenarinë e tij për suksesin në kampionat dhe foli për shpresat që ka Mohamed Salah në garën për “Topin e Artë”: “Kam shpresa të mëdha për Salah. Ai ka zhvilluar shumë sezone të mira, por ky ndoshta ka qenë më i miri për nga statistikat dhe fitorja jonë në Premier League.
Kjo i jep atij një mundësi. Fatkeqësisht nuk është i vetmi kandidat, por ka shanse të mira. Nëse nuk e fiton këtë vit, do të japë edhe më shumë sezonin tjetër. Mënyra se si mendon e bën atë një lojtar që nuk kënaqet kurrë”.
Në fund, trajneri holandez shtoi: “Si skuadër mund të kishim bërë pak më mirë. Luftuam për katër trofe dhe fituam vetëm një, edhe pse ishte më i vështiri”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






