

Me buzëqeshje, humor dhe shumë emocion, Carlo Ancelotti ka zhvilluar konferencën e tij të fundit si trajner i Real Madridit. Një epokë lavdie dhe suksesi mbyllet në “Bernabéu”, ndërsa tekniku italian, që i dhuroi klubit gjithçka, nga Champions-at magjikë te përmbysjet epike, i thotë lamtumirë një familjeje që e quajti shtëpi.
Në fjalët e tij ndihen mirënjohja, krenaria dhe një ndjesi përmbushjeje që vetëm legjendat e mëdha mund ta përçojnë. Ndërkohë që nis aventura e re me Brazilin, Ancelotti i jep bekimin pasardhësit Xabi Alonso dhe lë pas një trashëgimi që do të jetojë përjetësisht në historinë e klubit më të madh në botë.
Para gazetarëve u shpreh: “E shtuna do të jetë shumë speciale, është e pashmangshme. Është ndeshja ime e fundit dhe kur mbyllet një kapitull, gjithmonë ka emocione. Sidoqoftë nuk jam aspak i trishtuar, përkundrazi, jam shumë i lumtur. Kam dhënë maksimumin dhe largohem i lumtur, sepse një ditë duhej të ndodhte.
Jam mirënjohës për këto vite. Lojtarët, klubi, presidenti…, kemi kaluar shumë mirë bashkë. Ia dolëm të fitonim gjithçka. Po largohem me shumë mirënjohje për mundësinë që më dhanë për të drejtuar lojtarë spektakolarë. Tani është fundi. Ka qenë një rrugëtim i gjatë, por u përmbyll bukur.
Nuk kam pasur kurrë ndonjë përplasje me presidentin, nuk do të kem as ditën e fundit. Tani fillon një fazë e re që do ta përballoj me të njëjtin entuziazëm. Edhe fakti që kam bërë më shumë se 700 konferenca për shtyp është një sukses. Edhe aty jemi argëtuar, megjithëse disa pyetje nuk kanë qenë gjithmonë të lehta.
Këto ditë janë emocionuese, flas me lojtarët dhe shumë njerëz të tjerë. Marrëdhënia ime me të gjithë ka qenë shumë e mirë, e vlerësoj atmosferën. I falënderoj të gjithë, edhe kuzhinierët që më kanë përgatitur ‘carbonara’ para ndeshjeve. Janë ditë të veçanta.
Emocionohem shumë shpejt, e shtuna do të jetë një ditë prekëse dhe nëse qaj, nuk ka problem. Do të jetë një ndjesi e bukur, të cilën do ta ndaj me Modric, i cili ka qenë një mbështetje spektakolare gjatë qëndrimit tim këtu. Një lojtar i mrekullueshëm, një legjendë. Ta përshëndes atë do të jetë e veçantë”.
Në lidhje me pasardhësin, Xabi Alonso, trajneri veteran nuk kurseu fjalët e mira: “Nuk dua të jap këshilla, secili ka metodën e vet të punës. Këshilla ime është: shijojeni Real Madridin! Xabi Alonso do të jetë i pari dhe i uroj gjithë fatin e botës. I ka cilësitë për ta drejtuar këtë klub. Shijojeni gjithçka, kjo është ajo që mund të them”.
Ancelotti riktheu në memorie mbrëmjet më të bukura në “Bernabéu”, teksa përmendi përmbysjet e paharrueshme: “Ka pasur shumë, shumë të tilla. Është e vështirë të zgjedh një. Në fakt, gjithmonë flas për përmbysjet, sepse janë diçka që ende nuk kanë shpjegim. Ato që më ka mbetur më shumë në mendje janë përmbysjet ndaj PSG-së, Manchester City dhe Chelsea. Do të jenë të paharrueshme përjetësisht”.
Tashmë e pret një eksperiencë ndryshe, larg Europës, për herë të parë në stolin e një kombëtareje të madhe si Brazili: “Është një ndjesi e jashtëzakonshme. Jam i emocionuar që do t’i bashkohem një kombëtareje historike, pesë herë kampione bote. Është një sfidë e madhe, por më pëlqen ideja që të përgatitem për një Kupë Bote me Brazilin”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






