Transmetuar më 23-05-2025, 12:52

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi ditën e sotme se si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, krimi futi në parlament 28 deputetë. Në një konferencë për mediat, Berisha ka denoncuar me emra konkretë nga kandidatët e PS-së; Sara Mile, Arkend Balla, Ani Dyrmishi dhe Blendi Xhabafti. Berisha tha se vetëm tre nga këta kandidatë ose katër nga këta kandidatë, kanë 80 mijë vota të regjistruara.

"11 Maji, do ndalem vetëm në një aspekt. Në aspektin me të cilin fillova. Ky shtet është ndërmarrje e përbashkët me krimin e organizuar. Krahas patronazhistëve, krahas blerjes publike të votave, bota e krimit në këto zgjedhje ishte më zyrtare se kurrë. Ishte zyrtare! Ajo veproi në ombrellën e prokurorisë dhe politikës, Edi Ramës, me të gjithë mjetet e veta. Bandat në qytetet e mëdha të vendit, por jo vetëm ato, arritën të fusin në parlament, të punojnë për 28 deputetë. Para jush, në fushatë, unë kam denoncuar bashkërendimin e bandave të Durrësit dhe Elbasanit, darkat e shpeshta tek një lokal në Shkëmbin e Kavajës, në mos gabohem diçka me kuajt ka ky lokal, ku darkonin së bashku Ergys Agasi, Elvis Doçi, Suel Çela, Vangjush Dako. Tani, pas këtij denoncimi, ata u transferuan nga lokali Kodra e Kuajve, tek shtëpia e Dakos në Bllok. Aty janë organizuar të gjitha takimet.

Këto janë të gjitha të denoncuara. Tani, të pyesim pak shqiptarët, të kujt janë votat? Vetëm tre nga këta kandidatë ose katër nga këta kandidatë, kanë 80 mijë vota të regjistruara. Kampion është natyrisht Sara Mile. Kampion është Arkend Balla. Kampion është Ani Dyrmishi. Kampion është Blendi Xhabafti. Këta të katër së bashku bëjnë rreth 80 mijë vota dhe këta janë vetëm pararoja e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që bandat morën urdhër nga Edi Rama për t’i mbështetur. Avoketërve të farsës elektorale të narkoqeverisë u them se duke mbrojtur farsën, kryeni një krim të shëmtuar kundër lirive më themelore të qytetarëve shqiptarë. Dhe dëshmoheni më mercenarë se çdo lloj mercenari tjetër. Shtroj edhe njëherë pyetjen, të kujt janë 80 mijë vota të deputetëve të partisë së krimit? Të kujt janë? Një lidhje e plotë dhe totale me pushtetin," tha Berisha.

"Normalisht vetëm zgjedhje të parakohshme. Pa diskutim. Qeveri teknike, me një axhendë të përcaktuar, problemet që zgjidhen direkt me integrimin dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo është kërkesa jonë, për të cilën do luftojmë me të gjithë mbështetësit tanë dhe miqtë tanë në Europë dhe në botë," theksoi ai.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit