Transmetuar më 23-05-2025, 12:45

Në futboll ka ndarje që ndjehen si fundi i një epoke, si mbyllja e një kapitulli që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e miliona njerëzve. Dhe sot, një nga këto ndarje merr jetë në formën e një letre publike.

Një letër e thjeshtë në fjalë, por e rëndë në ndjenja. Carlo Ancelotti, njeriu i qetë që udhëhoqi Real Madridin drejt lavdisë me klas dhe urtësi, e përshëndet për herë të fundit klubin që e bëri legjendë.

Në prag të ndeshjes së tij të fundit në “Santiago Bernabéu”, ai shkroi këtë letër publike me zemër të mbushur plot mirënjohje dhe dashuri për një fanellë që nuk do ta harrojë kurrë. Ja mesazhi i tij i plotë, bërë publik përmes rrjeteve sociale:

“Sot ndahemi sërish. Sot mbart në zemër çdo moment të përjetuar gjatë kësaj periudhe të mrekullueshme të dytë si trajner i Real Madridit. Kanë qenë vite të paharrueshme, një udhëtim i jashtëzakonshëm, i mbushur me emocione, me tituj dhe, mbi të gjitha, me krenarinë për të përfaqësuar këtë stemë.

Ajo që kemi realizuar do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tifozëve. Faleminderit presidentit Florentino Pérez, klubit, lojtarëve të mi, stafit tim dhe, mbi të gjitha, kësaj tifozërie unike që gjithmonë më ka bërë të ndihem si njëri prej tyre.

Ajo që kemi realizuar së bashku do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tifozëve të Real Madridit, jo vetëm për triumfet, por edhe për mënyrën se si i kemi arritur ato. Netët magjike të ‘Bernabéut’ janë tashmë pjesë e historisë së futbollit. Tani fillon një aventurë e re, por lidhja ime me Real Madridin është e përjetshme”.

Ja komunikata e Real Madridit, e cila zyrtarizoi ndarjen me trajnerin Carlo Ancelotti:

“Real Madrid CF dhe Carlo Ancelotti kanë arritur një marrëveshje për ta përfunduar mandatin e tij si trajner. Klubi ynë dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe përzemërsinë për njërën nga legjendat më të mëdha të Real Madridit dhe të futbollit botëror.

Carlo Ancelotti e ka udhëhequr skuadrën tonë gjatë një prej periudhave më të suksesshme në 123 vitet e historisë sonë dhe është bërë trajneri me më shumë tituj në historinë e klubit: 3 Liga Kampionesh, 3 Kupa Bote për Klube, 3 Superkupa Europiane, 2 tituj La Liga, 2 Kupa të Mbretit dhe 2 Superkupa të Spanjës. Në total, 15 trofe në 6 sezonet që ai ishte pjesë e klubit tonë”.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, deklaroi: “Carlo Ancelotti është tashmë pjesë e pandashme e familjes së madhe të Real Madridit. Jemi krenarë që kemi pasur një trajner që na ndihmoi të arrijmë kaq shumë suksese dhe që gjithashtu ka përfaqësuar në mënyrë shembullore vlerat e klubit tonë.

Të shtunën, ‘Santiago Bernabéu’ do t’i bëjë nderimet e duhura atij në ndeshjen e fundit në pankinën e Real Madridit. Klubi ynë i uron atij dhe gjithë familjes së tij fatin më të mirën në këtë fazë të re të jetës”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit