Transmetuar më 23-05-2025, 11:07

KOSOVË- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur nisjen e heqjes së masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, teksa ka bërë thirrje që ato të hiqen plotësisht.

Kurti i ka thënë shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, të cilën e takoi në Prishtinë, mbrëmjen e 22 majit, se “Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor”, bën të ditur një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende, dhe si rrjedhojë ajo është vendi i vetëm në Ballkan që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Më herët, të enjten, në Beograd, Kallas ka thënë se është "thellësisht e përkushtuar" për t’i inkurajuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të shfrytëzojnë "me të vërtetë momentumin aktual që kemi në procesin e zgjerimit" të BE-së.

“Po, ky proces ka qenë në zhvillim prej mjaft kohësh, por gjithmonë ekziston një moment politik, dhe ky moment politik është tani – Evropa e Bashkuar është një vizion për të cilin duhet të punojmë të gjithë", ka theksuar ajo.

Në Prishtinë, ndërkaq, Kallas ka thënë se "Kosova i përket familjes evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit në BE". Ajo ka porositur se "përparimi mund të arrihet vetëm përmes reformave të vazhdueshme".

Me kryediplomaten evropiane – e cila vizitoi Prishtinën të enjten, pas qëndrimit në Beograd – Kurti ka diskutuar edhe për dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Sipas Kryeministrisë, shefi në detyrë i ekzekutivit kosovar “theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë” të Marrëveshjes për normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë, që njihet si Marrëveshja e Ohrit, ndërsa bëri thirrje që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe që Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin që la të vrarë një polic kosovar, t’i dorëzohet Kosovës.

Në darkën e zhvilluar me Kallasin, Kurti “gjithashtu ngriti çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë dhe kërkoi që BE të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Kurti dhe kryediplomatja evropiane folën edhe “për procesin paszgjedhor në vend dhe angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë”, bën të ditur komunikata.

Kallas u bëri thirrje të enjten partive parlamentare në Kosovë të bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, në vizitën e saj të parë në Kosovë, Kallas tha se BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën, por liderët e partive politike duhet t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës./REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit