Transmetuar më 23-05-2025, 10:37

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka analizuar situatën aktuale të klubit dhe ka komentuar rinovimin e fundit të kontratës së trajnerit Hansi Flick, në një intervistë për “RAC-1”. Këtu janë pikat kryesore të deklaratave të tij:

Mbi trajnerin gjerman: “Flick ka sjellë stabilitet në këtë projekt, me të lojtarët janë rritur. Në futboll, një vit është i rëndësishëm, dy janë edhe më shumë, pastaj vjen stabiliteti. Flick është i lumtur këtu, e identifikon veten me klubin”.

Projekti afatgjatë dhe rinovimi: “Ky është klubi më i mirë në botë, por puna është intensive. Planet duhet të jenë afatgjata dhe duhen implementuar hap pas hapi. Dy vite janë periudhë e mirë për një projekt, por koha do ta tregojë. Nuk duhet të nxitohemi”.

Epoka e re: “Ka nisur me ardhjen e Laporta; ky sezon na ka treguar që jemi në rrugën e duhur. Barcelona ka pasur vazhdimësi. Blerjet si Lewandowski, Koundé dhe Raphinha kanë qenë të mira. Kualiteti nga akademia, gjithashtu ka qenë aty. Tani po konsolidohemi si skuadër konkurruese”.

Për rinovimin e Yamal: “Është në rrugën e duhur, ka një pjekuri të jashtëzakonshme. Jemi të lumtur me të dhe duhet ta shijojmë. Është një përvojë unike të shohësh një lojtar kaq të ri me kaq shumë besim dhe cilësi, por mos harrojmë se ka vetëm 17 vite mbi supe.

Nuk ka rëndësi sa i pjekur është, duhet ta jetojë jetën e tij në atë moshë. Bota në atë moshë është e komplikuar dhe ai duhet vetëm të përpiqet të jetë i lumtur. Lamine duhet të ketë një kontratë të drejtë, në përputhje me cilësitë e tij. Nuk ka nevojë të jetë më i paguari ose më pak, duhet të vlerësohet për atë që është. Nuk ka klub më të mirë për të se Barça”.

Mbi ofertat për Yamal: “Po, ka pasur oferta sezonin e kaluar, jo këtë. Të gjithë e dimë për çfarë po flasim dhe sa vlen ai. Kur nuk do të dëgjosh oferta, nuk ka kuptim, por klubet gjithmonë pyesin. PSG ka pyetur për të, Real Madridi jo”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit