

Tottenham, fituesi i ri i “Europa League”, pas fitores 1-0 ndaj Manchester United, përjetoi një moment të pazakontë gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve, mbrëmjen e së mërkurës. Para syve të një Ceferin-i të habitur (presidentit të UEFA-s), medaljet mbaruan para se t’iu dorëzoheshin të gjithë lojtarëve të “Spurs”. Ky keqkuptim e vuri në siklet presidentin e UEFA-s dhe la pa medalje lojtarë si Bentancur, Romero e Son.
UEFA kërkoi falje me një deklaratë zyrtare: “Me keqardhje të madhe, nuk kishim mjaftueshëm medalje në podium gjatë ceremonisë për shkak të një mosmarrëveshjeje të papritur në numrin e lojtarëve, pasi në ceremoni morën pjesë më shumë anëtarë të skuadrës, përfshirë edhe të dëmtuarit, sesa ishte planifikuar fillimisht”.
Më pas UEFA sqaroi: “Medaljet që mungonin iu dorëzuan menjëherë ekipit fitues në dhomat e zhveshjes, së bashku me kërkim-faljet tona më të sinqerta për këtë gabim”.
Për ngjarjen ka folur edhe Sergio Reguilón, i cili nuk ishte në listën UEFA: “Më thanë se kishin 50 medalje për të gjithë ata që u paraqitën, por dhe ja ku jam, edhe pse nuk kam luajtur. Kam fituar një tjetër me Sevilla duke i luajtur të gjitha ndeshjet. Futbolli është i çuditshëm”.
Reguilón luajti vetëm 6 ndeshje (316 minuta) me Tottenham këtë sezon: “Të paktën mora një medalje…, kjo do të kujtohet përgjithmonë. Tani kam koleksionin tim”. Për finalen tha: “E dinim që kjo ndeshje do t’i jepte lavdi fituesit dhe ‘ferr’ humbësit. Sezoni ynë ishte goxha katastrofik”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






