Transmetuar më 23-05-2025, 08:52

Ish-sulmuesi Francesco Totti, i intervistuar nga “Sky Sport” në kuadër të “World Padel Tour”, foli edhe për finalen e Ligës së Kampionëve më 31 maj mes Interit dhe PSG: "Do të jetë një finale e madhe. Ajo e Champions-it është emocionuese, prekëse dhe e frikshme.

Përballen dy skuadra të mëdha, që kanë bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Jemi të lumtur që ka një skuadër italiane në finale. Pa dashur t’i heq asgjë Luis Enriques, si italian mbështes Interin, ashtu siç është e drejtë të bëhet".

A e priste një karrierë të tillë nga Luis Enrique? Ish-kapiteni verdhekuq përgjigjet: "Përveçse është një njeri i madh, është edhe një trajner i madh. Kur ndërron vend, qytet dhe kulturë, ndikimi i parë nuk është i thjeshtë. Kudo që ka shkuar, ka bërë mjaft mirë. Në Paris ka gjetur stabilitet dhe qetësi, duke treguar se mund të fitojë Champions-in me skuadrën e fortë që ka".

Totti, gjatë intervistës, foli edhe për Ranierin: "Këtij personi i duhet thënë shumë faleminderit. Përveçse është një tifoz i madh i Romës, dhe këtë e ka thënë dhe treguar gjithmonë, ka bërë një rrugëtim prekës.

Askush nuk e priste një Romë ndryshe nga ajo e fillimit të sezonit, ai arriti ta rikthente në garë dhe të shpresonte për Champions-in deri në javën e fundit. Askush nuk e priste. Kur isha drejtues, u përmendën dy-tre emra dhe më pas mendova për Ranierin.

E dija që nuk kishte probleme as me paratë, as me gjë tjetër. Ishim përpara një ndeshjeje kundër Portos, me Di Francescon që kishte tashmë disa probleme. Kur e thirrëm tha menjëherë po, pa u menduar. Duhet vetëm falënderuar".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit