Transmetuar më 23-05-2025, 08:31

Barcelona ka zyrtarizuar këtë të enjte rinovimin e kontratës së sulmuesit brazilian Raphinha deri në verën e vitit 2028. Lajmi vjen pas një sezoni shumë të mirë për 28-vjeçarin, i cili ka fituar gjithnjë e më shumë “peshë” në skuadër dhe në dhomën e zhveshjes, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit në disa ndeshje.

Kontrata e re përforcon pozicionin e Raphinha si një nga lojtarët kyç të projektit të ardhshëm të Barcelonës, nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

“Kam folur me familjen dhe ëndrra ime është të qëndroj këtu deri në fund të karrierës. Shpresoj të jem në nivelin tim më të mirë”, – deklaroi Raphinha për kanalet zyrtare të klubit pas firmës në kontratën e re.

Braziliani, i cili iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2022 nga Leeds United, është shprehur mirënjohës për besimin që ka marrë nga presidenti Joan Laporta dhe drejtuesit e klubit: “Kam folur me presidentin, ndjej se klubi dhe të gjithë njerëzit përgjegjës kanë besuar tek unë për herë të dytë. Kjo është shumë e veçantë për mua. Të ndihem pjesë e Barcelonës edhe për së paku tri vite të tjera më bën shumë të lumtur”.

Agreement to renew Raphinha's contract to 2028

Gjatë këtij sezoni, Raphinha ka kontribuar me gola dhe asistime të rëndësishme, duke ndihmuar ekipin në momente kyçe dhe treguar vazhdimësi në paraqitjet e tij. Përveç performancës në fushë, ai ka treguar edhe maturi e përgjegjësi, veçanërisht pas lajmit për ardhjen e fëmijës së tij të parë në jetë:

“Tani do të jem babai Raphinha, kapiteni, tipi që duhet të jetë më i përgjegjshëm. Me kalimin e viteve bëhesh më i pjekur. Shpresoj të vazhdoj të piqem dhe të përmirësohem si lojtar dhe si person”.

Me këtë rinovim, Barcelona siguron shërbimet e një lojtari që ka fituar zemrat e tifozëve dhe ka shprehur dëshirën e fortë për ta përfunduar karrierën në “Spotify Camp Nou”. Raphinha është tashmë një nga liderët e grupit blaugrana dhe pikë referimi për brezin e ri të lojtarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit