

Gazetari Blendi Fevziu, në hapje të emisionit të mbrëmjes së sotme “Opinion”, dha një deklaratë që e cilësoi si njërën nga më të vështirat në jetën e tij profesionale dhe personale.
Në lidhje me lajmet e përhapura gjatë ditës për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, Fevziu sqaroi se ky informacion nuk është i vërtetë. Ai theksoi se Lame është ende në jetë, ndonëse ndodhet në koma cerebrale pas një ndërhyrjeje të rëndë kirurgjikale në zemër.
Gazetari tha se kjo deklaratë bëhet me kërkesë të familjes së Artan Lames, për të shmangur përhapjen e një informacioni të pasaktë që nuk përkon me realitetin.
“Kam një anonçim të shkurtër, që është padyshim një nga anonçimet më të vështira që do të bëj ndoshta edhe në të gjithë jetën time. Një nga miqtë e mi personal, një nga njerëzit jam i bindur e ka dashur Shqipërinë dhe historinë e saj më shumë se shumë të tjerë. Artan Lame ndodhet në momente shumë të rënda të jetës së tij.
Sot paradite ka dalë lajmi që ai iku nga kjo jetë, në fakt ai ndodhet në koma cerebrale. Ka hyrë në një operacion të rëndë në zemër, pas një problemi disajavorë. Operacioni nuk ka arritur ta zgjojë më, pra ai është në koma cerebrale, por është ende në jetë. Mjekët thonë që mundësia që ai të jetojë është thuajse…, pra është e vështirë. Por gjithsesi ai është ende në jetë dhe unë kam një porosi nga familja e tij që ta bëjë këtë anonçim për të thënë që të mos bëhet fakt i kryer diçka që nuk ka ndodhur ende”, u shpreh Blendi Fevziu.
Gazetari i njohur shprehu ndjeshmëri të thellë për situatën dhe kërkoi kujdes në raportimin e lajmeve që lidhen me shëndetin e Artan Lames, duke i bërë thirrje publikut dhe mediave që të respektojnë momentin delikat të familjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






