

Tiranë- Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot se në fshatin Pekisht të Elbasanit, në një bar-kafe në pronësi të kryeplakut Dervish Beqiri, janë gjetur materiale zgjedhore dhe shuma të konsiderueshme parash të dyshuara si “narkoeuro”.
Sipas Berishës, informacioni i është përcjellë mbrëmjen e djeshme deputetit të ardhshëm të Elbasanit, Blendi Himci, i cili sot në mëngjes ka shkuar në ambientet e lokalit dhe ka gjetur aty fletë votimi, lista votuesish dhe materiale të tjera zgjedhore, në një vend të dyshuar si pjesë e asaj që Berisha e quajti “treni bullgar”.
“Treni bullgar mbeti në stacionin e Pekishtit. Doli nga shinat dhe mbeti aty,” u shpreh Berisha, duke iu referuar një praktike të njohur për manipulimin e votave, të lidhur me patronazhistët e Partisë Socialiste sipas tij.
Berisha theksoi se ngjarja është e ngjashme me raste të tjera të denoncuara më herët në zona si Kashari dhe Astriti, ku sipas tij, funksiononin “qendra alternative votimi” të ngritura paralelisht me qendrat zyrtare.
Deklarata e Berishës:
“‘Treni bullgar’, që u aplikua gjerësisht në Shqipëri, mbeti në stacionin e Pekishtit.
Doli nga shinat dhe mbeti aty.
Pas një informacioni që deputeti i ardhshëm i Elbasanit, Blendi Himçi mori mbrëmë se në fshatin Pekisht, në bar-kafenë e kryeplakut të fshatit Dervish Beqiri, vëzhgues besnik i PS, ndodhen sasi e konsiderueshme materialesh votimi, fletë votimi, lista votimi dhe narko-euro.
Siç keni parë ju, në rastin e Kasharit, në rastin tek Astiri dhe në raste të tjera, ku paralel me qendrat e votimit ishin ngritur zyrat e ‘trenit bullgar’ nga patronazhistët, kjo pra ishte një praktikë shumë e përhapur.
Sot në mëngjes herë, zoti Himçi shkoi vetë në bar-kafenë e Dervish Beqirit, hyri brenda dhe në vendin ku ishte informuar u gjet i gjithë materiali zgjedhor që do paraqesim tani para jush.
Këto që shihni ju janë fletët e votimit, listat e votimit të gjetura, që kishin kaluar prej disa netësh dhe flinin në bar-kafenë e Dervish Beqirit.
Dervish Beqiri është vëzhgues i PS, bashkia Peqin, KZAZ me numër 45, qendrat e votimit 2292-2293.
Tani e shikoni tavolinën plot me euro, karta identiteti, bollëk i madh.
Kjo është tavolina e krimit elektoral.
Këto janë listat. Janë 117 fletë listash votimi me vula, siç e shihni.
Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës.





Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






