

Tiranë- Të gjithë po e quajnë fituesin moral të zgjedhjeve të 11 Majit! Shumë po lexojnë përtej votave, mesazhin që demokratët dhanë përmes tij, e të tjerë po ngrenë pritshmëri për të, në raport me atë që duhet dhe do të ndodhë me PD-në dhe Sali Berishën, në një kohë që këtë të fundit, vetëm Zoti e largon.
Ai ishte ndër më të votuarit në PD dhe iu desh të garonte me kolegen e tij brenda PD-së, edhe ajo po aq e votuar dhe e lënë si ai në zonën e rrezikut, ndryshe nga çfarë diktuan Primaret. Qartazi sepse vetë Berisha nuk i konsideronte të tijtë.
E kemi fjalën për Ilir Alimehmetin, kandidatin që me shumë gjasë është mërzitur shumë pak pse nuk hyri në Parlament, sepse vota masive e qytetarëve të Tiranës ia sfumoi humbjen. Ai ishte sonte në një intervistë në "Të Pashoq", ku u ndal dhe te ata që duhet të mbajnë përgjegjësi për humbjen.
-A ka përgjegjësi për PD, apo nga kryetari Berisha. Nuk merr përgjegjësi
Patëm një palë zgjedhje, dhe në vitin 2025 kemi sërish të njëjtat probleme si në çdo palë zgjedhje më parë. Këtë e thotë OSBE. Ata deklarojnë se janë falur gjoba, ka pasur angazhim të grupeve kriminale. Nuk thonë “na është raportuar”, por “kemi dëshmuar” – domethënë, kanë qenë vetë prezentë dhe kanë parë që gara nuk është e barabartë.
Ky është sistemi. Brenda këtij sistemi, opozita nuk favorizohet, dhe kjo ka ndikuar në uljen e mandateve të saj, sepse edhe numri i mandateve është i vogël, dhe si pasojë mbeten shumë njerëz jashtë.
E treta, forumet përkatëse, sipas rregullores, tek ne zgjodhën një pjesë të listës të mbyllur dhe një pjesë të hapur – në mos gaboj më 12 mars. Dhe aty pati një, si të them, një pezmatim të lehtë kur u hapën listat. Flas për Tiranën, se për qarqet e tjera nuk kam informacion të saktë.
Për Tiranën pati një pakënaqësi që u ndje në sondazhe dhe, fatkeqësisht, e solli fushatën pas në kohë. Pavarësisht gjithë garës, takimeve, shtrëngimeve të duarve dhe shpjegimit të situatës nga të gjithë kandidatët e listës së hapur – që të gjithë e bëmë këtë – nuk u rikthye dot e njëjta frymë që ishte para datës 12 mars.
Procesi nuk ka mbaruar. KQZ ende nuk i ka shpallur tabelat përfundimtare, dhe një analizë reale nuk mund të bëhet pa i pasur ato. Nevojitet një analizë e thellë, jo vetëm numerike, por edhe politike.
– Ju morët kaq shumë vota, por kur futen në listë kandidatë që nuk marrin vota, kandidatë që nuk konsiderohen si e ardhmja… sepse votat nuk vijnë vetëm nga militantët.
Që të jemi të qartë, Partia Demokratike ka detyrat e saj.
– A është përgjegjës Berisha për listat?
Unë kam qenë në terren dhe kam parë realitetin për të gjitha partitë. Fitues nuk konsideroj dikë që bën zgjedhje në kushte të pabarabarta. Prej 50 vitesh kemi qenë në kushte të tilla.
– Nuk është vetëm ajo arsyeja e humbjes…
Nuk është e vetmja, por është kryesorja.
– Pse ty nuk të vodhën votat?
Ju nuk e dini sa vota kam pasur realisht. A ka përgjegjësi? Padyshim që ka – dhe përgjegjësia shkon lart.
Duhet të bëhet një analizë e plotë, bazuar në raportin përfundimtar të OSBE-së. Një analizë e thellë, si numerike ashtu edhe politike. Përgjegjësitë duhen parë nga të dy krahët – edhe te kundërshtari, edhe tek ne.
Në bazë të rezultateve që do të dalin, kush ka meritë të ecë përpara, le të ecë; kush ka përgjegjësi për humbjen, duhet të bëjë një hap pas. Ky është realiteti në çdo organizatë serioze./ "Të pashoq"
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






