

Rruga duket tashmë e trasuar. Përveç ndonjë surprize të bujshme në momentet e fundit, Igli Tare do të jetë drejtori i ri sportiv i Milanit. Në pritje të njoftimit zyrtar kanë nisur tashmë lëvizjet e mëdha në merkato, në prag të një sezoni që, me çdo kusht, duhet të jetë ai i rikthimit të madh kuqezi.
Aktualisht nuk bëhet fjalë për negociata të mirëfillta, por më tepër për një listë prioritetesh që do të përshtaten edhe me largimet e mundshme. Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, shqiptari ka rënë dakord me administratorin e deleguar Furlani për idenë e një Milani më italian, ose të paktën të ndërtuar mbi lojtarë që e njohin mirë Serie A.
Në pankinë, objektivi numër një është Vincenzo Italiano. Drejtuesit kuqezinj duan t’i vënë atij në dispozicion një skuadër që përputhet me filozofinë e tij të futbollit me intensitet të lartë, fizik dhe agresiv.
Ndër emrat e parë në bllokun e Tares janë, jo rastësisht, Dan Ndoye (që pëlqehet shumë edhe nga Juventusi) dhe Jens Odgaard, të cilët vijnë pas një sezoni shumë të mirë te Bologna, nën drejtimin e trajnerit të ri nga Karlsruhe.
Lista nuk mbaron me kaq; duke pasur parasysh largime të mundshme të rëndësishme (si Tomori apo Thiaw), do të ketë punë edhe në mbrojtje. Mario Gila i Lazios është në listë, një lojtar që Tare e solli në Romë në vitin 2022. Gjithashtu Comuzzo, Leoni dhe Coppola janë në vëzhgim.
Në rast largimi të Theo Hernandez, do të nisej sulmi për Destiny Udogie, i cili vjen nga një sezon jo veçanërisht mbresëlënës me Tottenham, por mbetet pjesë e orbitës së kombëtares së Spallettit.
Për sa i përket repartit të sulmit kuqezi, qëndrimi i Abraham është ende në pikëpyetje. Për të shtuar centimetra në repartin ofensiv mendohet për Lorenzo Lucca, i cili do të ishte alternativa e parë për Santi Gimenez.
Së fundmi, ka një emër që ngacmon jo pak, ndoshta edhe tifozët; Sergej Milinkovic-Savic. Serbi ka qenë ndoshta goditja më e madhe e Tares në kohën e tij te Lazio, ndaj rikthimi i tij në Itali mund të bëhet objektivi i ri i shqiptarit. Natyrisht, pengesa më e madhe është paga e majme që përfiton tek Al-Hilal, por fiziku i tij dhe instinkti i golit do të bënin padyshim diferencën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






