Transmetuar më 22-05-2025, 08:55

Davide Frattesi, një nga motorët e mesfushës zikaltër, ndan emocionet e rrugëtimit të tij me Interin përpara finales së madhe të Champions League kundër PSG. Me reflektime personale dhe fjalë që vijnë nga zemra, ai rrëfen se suksesi i tij nuk buron nga talenti i lindur, por nga një mentalitet i hekurt dhe sakrificë e përditshme.

Nga goli që e çoi Interin drejt finales e deri te kujtimi i gjyshes së ndjerë, Frattesi tregon sa e thellë është historia pas çdo momenti madhështor. Për të, çdo lojtar tek Interi ka një rrugëtim që peshon, disa janë thjesht të destinuar për lavdi.

Në këtë intervistë për kanalet zyrtare të UEFA-s, me fokus finalen e Champions League kundër PSG, ai do të shprehej: “Goli im kundër Barcelonës? Pas ndeshjes, kur më pyetën pse gjithmonë unë, u përgjigja se kjo është ajo që tregon rruga ime.

Nuk është se Zoti më ka vendosur dorën mbi kokë dhe më ka thënë ‘do jesh më i talentuari nga të gjithë’, por më ka thënë ‘cilësinë më të madhe do kesh mentalitetin’. Përveç trupit, për të cilin duhet të falënderoj mamin dhe babin, është mentaliteti ai që më dallon. Mamaja gjithmonë më ka thënë: fiksimi e mund talentin.

Goli tjetër në Mynih? Isha pak i trishtuar, sepse pak kohë më parë më kishte ndërruar jetë gjyshja. Nuk e shijova siç duhet atë moment. Ajo ishte personi më i rëndësishëm në jetën time, nuk e kuptova menjëherë se çfarë ndodhi. Në moshën 80-vjeçare kishte një gëzim dhe forcë të jashtëzakonshme. Goli në Mynih dhe ai ndaj Barcelonës janë dy situata të ndryshme, por kanë rëndësi se na shtynë drejt finales së madhe.

Sa e ëndrroj fitimin e Champions-it? Midis ëndrrës dhe realitetit ka një det të tërë për t’u kaluar, por do të bëjmë gjithçka për të triumfuar më 31 maj. Ende nuk e kam kuptuar mirë çfarë do të thotë kjo finale, ndoshta do ta kuptoj kur të zbresim në Mynih dhe të dëgjojmë atë muzikën e famshme të Champions-it. Është diçka e jashtëzakonshme dhe e meritojmë. Secili prej nesh ka një histori të ndryshme, por që peshon shumë. Ka njerëz që janë të destinuar për diçka të madhe.

Cilit repart i trembem te PSG? Forca e parizienëve është e gjithë skuadra. Kanë lojtarë të nivelit më të lartë ndërkombëtar, nuk kanë nevojë për prezantime. Sidoqoftë, më shumë se të fokusohemi tek ata, te cilësitë apo dobësitë e tyre, duhet të fokusohemi te vetja. Kemi treguar që, kur jemi të përqendruar, ndoshta nuk fitojmë gjithmonë, por mund të përballemi denjësisht me cilindo”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit