Transmetuar më 22-05-2025, 08:47

Në prag të finales së madhe të Ligës së Kampionëve, Simone Inzaghi flet me qartësi dhe vendosmëri për rrugëtimin e gjatë e të lodhshëm, që e ka sjellë Interin në një tjetër sfidë historike. Me dy finale të arritura në tri vite, trajneri zikaltër thekson rëndësinë e përvojës, forcës së grupit dhe punës së palodhur që ka nisur katër vite më parë.

Ndeshja me PSG-në nuk është thjesht një tjetër finale, por mundësi për të kurorëzuar një epokë të re suksesi për Interin dhe për t’iu kthyer tifozëve shpërblimin që meritojnë. “Ka qenë një rrugëtim i gjatë për të arritur në finale, kemi ecur hap pas hapi, – tha Simone Inzaghi, trajneri i Interit, 9 ditë para finales së Ligës së Kampionëve.

– Të gjithëve iu ka mbetur në mendje sfida e fundit me Barcelonën, por nëse mendoj edhe për Bayernin, ishte shumë e vështirë t’i mundnim bavarezët. Ata janë një skuadër e madhe, e organizuar, fizike.

Çerekfinalja ishte si gjysmëfinalja; pra katër ndeshje me intensitet të pabesueshëm. Kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer gjatë këtyre viteve. Dy finale në Champions janë meritë e punës dhe sakrificës së të gjithëve.

Objektivi është ta fitojnë Champions-in kësaj here, pas humbjes në finalen e Stambollit, dy vite më parë. Të gjithë e mbajmë mend mirë atë finale. Luajtëm si të barabartë ndaj një skuadre shumë të fortë si Manchester City. Ndoshta e meritonim të shkonim në shtesë në atë ndeshje, por ajo paraqitje na dha shumë vetëbesim për forcat tona.

Përballja me PSG-në? Nuk mendoj se të jesh një skuadër pak më ‘e vjetër’ është problem. Përkundrazi, ndihmon shumë në disa momente të rëndësishme të ndeshjeve të mëdha. Kam një grup futbollistësh të mëdhenj, por mbi të gjitha njerëz të shkëlqyer, që punojnë gjithmonë në mënyrën më të mirë dhe përpiqen të qëndrojnë të kthjellët.

Fitorja do të ishte kurorëzimi i një pune të madhe që ka nisur katër vite më parë. Do të jetë një finale shumë e rëndësishme, duam t’iu japim këtë gëzim të madh tifozëve tanë. Do të bëjmë gjithçka për t’ia arritur”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit