

Trajneri i PSG, Luis Enrique, foli nga salla e shtypit e qendrës stërvitore të klubit, ku prezantoi finalen e Champions League ndaj Interit: "Jam i përqendruar te të dyja ndeshjet; finalja e Kupës së Francës dhe pastaj ajo e Champions-it. Nuk ka asgjë të veçantë për t’u përgatitur. Jemi këtu për futbollin që luajmë. Nuk di të them se cila është ndeshja më e lehtë për t’u përgatitur. Ndeshja më e rëndësishme është ajo ku luajmë ne. Janë ndeshje të ndryshme, nuk ndodh shpesh të luash këso sfidash. Gjithçka përreth është ndryshe, ka shumë presion, duhet ta menaxhosh momentin".
A po rreshtohen “planetët” për PSG-në?
Nuk e di, nuk jam fallxhor. Për ne është e rëndësishme të ruajmë ADN-në tonë, të luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të jemi të parët që shkruajmë historinë pariziene, duke fituar Champions-in. Sidoqoftë, është edhe një skuadër tjetër (Interi), që ka të njëjtin objektiv si ne.
Si ju dukën dy ndeshjet gjysmëfinale mes Interit dhe Barcelonës?
Ishte bukur t’i shihje ato dy ndeshje, si tifoz, por edhe si trajner. U shënuan më shumë gola se ç’mendoja. Interi nuk ishte kurrë në disavantazh dhe kjo tregon aftësinë e tij për të menaxhuar çdo moment të ndeshjes. Zikaltrit janë shumë të mirë në ndërtimin e aksioneve në pozicion të qetë dhe gjithashtu të rrezikshëm në goditjet standarde. Shpresoj që finalja të mos jetë si ato dy sfida gjysmëfinale. Atyre iu pëlqen zotërimi i topit, edhe ne kemi të njëjtën karakteristikë.
Na flisni për finalen e re të Champions-it, pas asaj të fituar me Barcelonën më 2015…
Të arrish në finalen e Champions-it është shumë e vështirë. Ajo që bëra me Barcelonën ishte e jashtëzakonshme, do guxoja të thoja, edhe pse të gjithë thoshin se ishte e lehtë të fitoje me atë skuadër, por kemi parë që nuk është aspak e thjeshtë. Këtu, me presidentin dhe këshilltarin, kemi përzgjedhur lojtarët që donim të merrnim. Kam në skuadër shumë lojtarë të nivelit të lartë, që luajnë me një mentalitet skuadre, gjë e rrallë në futbollin e sotëm. Edhe Interi e ka këtë mentalitet. Këtu është ndryshe nga Barcelona, por cilësia e lojtarëve dhe personaliteti i tyre e bëjnë punën më të lehtë.
Ky rrugëtim në Europë erdhi pas një fillimi të vështirë…
Jam entuziast për atë që kam parë dhe për mënyrën si kemi luajtur. Lojtarët u kritikuan, por dhanë maksimumin. Duhej të kalonim përmes kësaj. Luajtëm ndeshje të nivelit shumë të lartë në Champions, që i humbëm, si ndaj Atlético Madridit dhe Liverpool-it. Ndryshimi ndodhi kur dolëm nga bllokimi, sa i përket efikasitetit. Lojtarët pozicionoheshin më mirë në zonë. Kaluam nga statistika katastrofike, në më të mirët e Europës. Është e njëjta skuadër, por me më shumë efikasitet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






