

Ndahet nga jeta sopranoja Redrina Kokona – një zë i paharruar i skenës operistike shqiptare
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka njoftuar ndarjen nga jeta të sopranos së njohur Redrina Kokona, një artiste që për gati tri dekada i fali publikut shqiptar emocione të rralla përmes zërit të saj të veçantë dhe shpirtit të përkushtuar ndaj muzikës klasike.
E diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Arteve në Tiranë në vitin 1998, Redrina e nisi karrierën me një pasion të palëkundur për artin, duke u bërë shpejt një nga zërat më të dalluar të skenës shqiptare.
Në vitin 2000 ajo iu bashkua Trupës së Korit të TKOB-së dhe që nga ajo kohë ishte pjesë e pandarë e çdo koncerti, premiere apo prove.
Ajo spikati jo vetëm në kor, por edhe në role solistike që mbeten në kujtesën e publikut për interpretimin e ndjeshëm dhe elegancën skenike. Ndër rolet më të njohura të saj janë Fiordiligi në Così fan tutte, Frasquita në Carmen, Kate Pinkerton në Madama Butterfly, Musetta në La Bohème, Anina në La Traviata dhe Una novizia në Suor Angelica.
Humbja e saj lë një boshllëk të thellë në jetën artistike të vendit, por zëri dhe kujtimi i Redrina Kokonës do të vazhdojnë të jetojnë në skenën e artit shqiptar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






