Transmetuar më 21-05-2025, 13:16

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë më gazetarët ka folur në lidhje me votën e diasporës. Berisha u shpreh sërish se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë elektorale. Sipas tij vota e diasporës ka pësuar manipulim masiv dhe të hapur.

Berisha theksoi se ky manipulim është akti më kriminal i manipulimit të votave ndonjëherë. Ai theksoi se manipulimi nuk ka ndodhur vetëm me votat e emigrantëve në Greqi po edhe në Itali dhe vendet e tjera. Kryedemokrati shtoi se DHL me urdhër të qeverisë ka shkelur kontratën dhe ka kontraktuar nënkontraktorë të tjerë, të cilët kanë bashkëpëunuar ngushtë me PS-në.

"Farsa elektorale 11 maj 2025 ka pasur një nga faqet më të shëmtuara, historitë më të turpshme, votën e diasporës apo qëndrimin kriminal të narkomazhorancës ndaj votës së diasporës. Kjo votë ka pësuar manipulimin më masiv, më të paskrupullt, më të hapur. Mishmashi që shpalli Edi Rama me votat e diasporës në Greqi është akti më kriminal i manipulimit të votave ndonjëherë.

Por theksoj se ky mishmash, sipas të dhënave tona, nuk ka ndodhur vetëm në Greqi, ka ndodhur edhe në Itali dhe ndonjë vend tjetër. Për t’u realizuar ky mishmash, DHL me urdhër të qeverisë ka shkelur kontratën dhe ka kontraktuar nënkontraktorë të tjerë, të cilët kanë bashkëpëunuar ngushtë me PS-në. Ndonëse kontrata parashikonte se asnjë lloj nënkontraktimi nuk mund të bëhej.

DHL u pranua nga ne për shkak të reputacionit të saj, por segmenti shqiptar i DHL-së funksionoi krejtësisht sipas urdhrave, porosive të qeverisë dhe të Edi Ramës. Zarfet, votat, nuk u mbushën nga qytetarët e regjistruar, por ato në mijëra, mijëra, mijëra prej tyre u plotësuan nga patronazhistët, të dërguar nga Tirana, nga punonjës apo ish-punonjës të ambasadave dhe solli një manipulim të dalë jashtë kontrolli," tha ai.

Aq vulgar dhe aq banal, saqë u doli tërësisht jashtë çdo kontrolli dhe tani, ndër të tjera, dora e zezë e Postës Shqiptare, është një nga faktorët e tjerë që u shtri mbi votën e diasporës. Imagjinoni ju magazinat e Postës Shqiptare, se si lukunia e patronazhistëve ribëri nga e para votat siç deshi. Ky është një proces i kriminalizuar në shkallën më të lartë, që kurrë nuk do njihet dhe nuk do pranohet. Për të ilustruar këto që them, kemi sjellë vetëm disa shembuj. Kemi sjellë këtu disa shembuj, ku në Lezhë vota të numëruara janë 12.290, kurse të dërguara janë 11.872.

Kjo sepse ata që kanë plotësuar zarfet, ata nuk kanë pasur të ndalur, kanë tejkaluar edhe këtë të dhënë. Këtu në Dibër, nga 7733 zarfe të numëruar, janë dërguar vetëm 7547 zarfe në total. Edhe këtu janë shtuar 200 zarfe për të ndihmuar partinë. Në Durrës janë shtuar 560 zarfe më shumë. Në Fier, 27.191 zarfe janë numëruar, në fakt kanë qenë gjithsej 26.212, pra pothuajse 1 mijë zarfe më shumë. Në Kukës, 3003 zarfe, kanë gjithsej 2917 në total.

Në Shkodër, janë numëruar 13.959 zarfe, kanë qenë gjithsej 13.533 zarfe në total. Në Tiranë, janë numëruar 43.773 zarfe nga 42.400 në total, pra 1300 më shumë. E shihni pra që nuk janë ngopur së futuri zarfe në kutitë që kanë ardhur, në postë, në magazinë apo kudo. Tani kemi sjellë disa shembuj të votimit si në Korenë e Veriut ose si në vitet ’80 në Shqipëri, ku 97 përqind i ka PS, 3 përqind i ka ASHM. Rikthehen rekordet e Koresë së Veriut në Shqipëri.

93.8 përqind, rezultat rus e quan këtë një demokrate e vendosur. Tjetër. 28 vota me 371 vota, rreth 90 përqind. Këtu 16 vota me 272 vota, nuk ngopen patronazhistët, ata kanë një urrejtje të tmerrshme për armikun, për kundërshtarin, saqë nuk dinë se ç’bëjnë. Kjo pra është fytyra e vërtetë e votës së diasporës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit