Transmetuar më 21-05-2025, 12:18

Te Real Madrid po fryjnë erëra ndryshimi. Dani Carvajal, një nga figurat më të qëndrueshme të klubit të bardhë, ka dalë para mediave për të folur me sinqeritet e emocion mbi gjithçka që po ndodh në “Casa Blanca”.

Nga rikthimi i tij pas dëmtimit, te përgatitjet për Botërorin e Klubeve në SHBA, deri te komentet për përforcimet e reja si Trent Alexander-Arnold dhe Dean Huijsen. Veterani madrilen nuk kurseu as mendimet për të ardhmen e pankinës së merenguesve.

Ai mirëpret Xabi Alonson si “trajneri i duhur” dhe përshëndet me dhimbje të madhe largimin e Carlo Ancelottit, “babait të tij futbollistik”. Në horizont është një Real Madrid i ri, por me respekt për historinë që e ka formuar.

Mbi gjendjen e tij, pas dëmtimit të rëndë: “Tani ndjehem shumë mirë dhe po rikuperohem plotësisht. Do të vazhdoj të stërvitem gjatë javëve në vijim me synimin për të qenë pjesë e Botërorit për Klube. Atje do të nis të punoj me ekipin dhe do të vlerësojmë kur do të jem gati për të konkurruar”.

Më pas, Carvajal u pyet për temën më të nxehtë te madrilenët: ardhjen e Xabi Alonso në pankinë: “Nuk e di nëse është zyrtare apo jo, por duket se po vjen. Nuk kam pasur ende mundësi të flas me të. E njeh klubin më mirë se kushdo tjetër. Si lojtar, e ka mbrojtur këtë fanellë për shumë vite. E di çfarë do të thotë të jesh pjesë e Real Madridit, kjo është një përparësi për rolin e tij si trajner”.

Lidhur me suksesin e mundshëm të Xabi Alonso te Real Madridi: “Koha do ta tregojë nëse do të jetë personi i duhur për ta përmbysur situatën, pas një sezoni ku nuk fituam asnjë nga tre trofetë kryesorë. Ky është futbolli. Janë rezultatet, ato që përcaktojnë të ardhmen e trajnerëve dhe lojtarëve. Janë cikle. Unë vetë kam përjetuar si momente të jashtëzakonshme, ashtu edhe sezone ku nuk fituam asgjë. Xabi Alonso do të bëjë shumë mirë. Vjen pas dy sezoneve fantastike me Bayer Leverkusen”.

Carvajal komentoi gjithashtu mbi dy përforcimet e reja të Real Madridit, Dean Huijsen, i cili është zyrtarizuar tashmë, dhe Trent Alexander-Arnold, blerja e të cilit është në fazën përfundimtare: “A kam frikë nga Trent Alexander-Arnold? Nuk është ende zyrtare ardhja e tij, por duket se do të ndodhë. Këtu nuk flasim për frikë, do të jemi shokë skuadre. Konkurrenca na përmirëson të dyve, nxjerr më të mirën nga secili prej nesh”.

Ndërsa për Dean Huijsen shtoi: “Është blerje e shkëlqyer, një lojtar shumë i mirë. E mirëpresim, do të na ndihmojë shumë”.

Në fund, Carvajal foli me emocione për trajnerin Carlo Ancelotti, i cili do të lërë Real Madridin për të marrë drejtimin e kombëtares së Brazilit: “Më vjen shumë keq për largimin e Carlitos. Në fund të fundit, kam qenë me të për shumë vite, si në periudhën e parë, ashtu edhe në të dytën. Me të kemi fituar gjithçka, për mua është si një baba në futboll. Jam shumë i trishtuar për largimin e tij, por shpresoj që të shtunën e ardhshme të marrë një lamtumirë siç e meriton, si trajneri më i suksesshëm në historinë e Real Madridit. Dhe jam i bindur që stadiumi ynë nuk do të lërë askënd indiferent”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit