

Victor Osimhen është bërë prioriteti absolut i Juventusit për të përforcuar repartin ofensiv në sezonin e ardhshëm. Sulmuesi i Napolit, aktualisht i huazuar te Galatasaray deri në qershor 2025, shihet nga bardhezinjtë si njeriu ideal për t’i dhënë skuadrës bardhezi shtysën cilësore dhe vendimtare.
Nga ana e tij, Osimhen nuk do ta refuzonte rikthimin në Serie A dhe transferimin te një klub si Juventusi. Pavarësisht se dëshira e tij mbetet Premier League, ku më herët janë përmendur Manchester United dhe Arsenali, aktualisht nuk ka lëvizje konkrete nga Anglia. Nga Arabia Saudite ka pasur oferta të majme, por ato janë refuzuar prej sulmuesit, i cili në moshën 26-vjeçare dëshiron ende të sprovohet në nivelet më të larta të Europës.
Juventusi ka nisur prej kohësh kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit, duke punuar në heshtje. Ende nuk ka një ofertë zyrtare drejtuar Napolit, por sipas raportimeve, bardhezinjtë janë gati të vënë në tryezë, përmes agjentit të Osimhen, propozimin prej 80 milionë eurosh.
Napoli dhe presidenti De Laurentiis ndodhen përballë një situate delikate. Huazimi i Osimhen te Galatasaray skadon në qershor 2025, por ekziston një marrëveshje që parashikon zgjatjen automatike të kontratës deri më 2027, në rast se lojtari nuk largohet në merkaton e kësaj vere.
Megjithatë, De Laurentiis preferon shitjen jashtë Italisë dhe ka vendosur një klauzolë lirimi prej 75 milionë eurosh. Problemi është se ofertat e vetme konkrete kanë ardhur nga klubet arabe, tashmë të refuzuara nga Osimhen, ndërsa për Galatasaray nuk ka dakordësi për vazhdimin e bashkëpunimit. Kjo e çon Napolin drejt një rreziku real: ta mbajë në skuadër një lojtar me kontratë 12 milionë euro në vit, që mund të përfundojë edhe jashtë planeve të trajnerit.
Financiarisht, nuk është aspak një situatë e favorshme për klubin napolitan, por me presidentin De Laurentiis gjithçka është e mundur. Kujtojmë se në vitin 2016 ai shiti Gonzalo Higuain pikërisht te Juventusi për 90 milionë euro, duke aktivizuar klauzolën. Tani, në Napoli ëndërrojnë një tjetër “goditje” të madhe, këtë herë Osimhen, me vlerësimin prej 100 milionë eurosh.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






