

Durrës, 21 maj 2025 – Një situatë alarmante është regjistruar mbrëmjen e së martës në zonën e Velierës, Durrës, ku një sasi eksplozivi u gjet pranë pallatit ku banon ish-kryebashkiaku Vangjush Dako. Policia reagoi menjëherë, duke vendosur perimetrin e sigurisë dhe duke thirrur njësinë antieksploziv të RENEA-s, e cila kreu çaktivizimin e pakos me një shpërthim të komanduar mëngjesin e së mërkurës.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se mjeti shpërthyes ishte i lidhur me një telefon celular dhe i mbështjellë me natriban – një metodë që sugjeron aktivizim me komandë në distancë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 të datës 20 maj, në lagjen nr. 1, në vendin e njohur si "Veliera". Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, forcat policore kanë ndërhyrë dhe kanë izoluar zonën, duke parandaluar pasoja të mundshme tragjike.
Ekspertët e xhenios qëndruan në vendin e ngjarjes gjatë gjithë natës, ndërsa shpërthimi i kontrolluar i lëndës plasëse u krye mëngjesin e sotëm.
Aktualisht, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Më datë 20.05.2025, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 1, në vendin e quajtur “Veliera”, është konstatuar një pako me lëndë të dyshuar plasëse.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë dhe vendosën perimetrin e sigurisë, ndërsa njësia antieksploziv e RENEA-s kreu veprimet për çaktivizimin e pakos me lëndë plasëse që ishte lidhur me një celular të ngjitur me natriban.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






